AAK me ekip për dialog, nuk pranon të flasë se çka do të trajtojë ky ekip
Lajme

AAK me ekip për dialog, nuk pranon të flasë se çka do të trajtojë ky ekip

Donika Sherifi/ RTK

Arritja e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë shihet ende larg. Partia opozitare AAK dje ka krijuar një ekip special për këtë proces, mirëpo nuk ka sqaruar se cili do të jetë roli i saj dhe me çka saktësisht do të merret ky ekip. Njohës të zhvillimeve politike në vend e shohin të domosdoshme përfshirjen direkte të opozitës në fazën finale të dialogut, pasi sipas tyte kjo do të ndihmonte procesin.

Dialogu i nivelit të lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë ende nuk ka sinjale se mund të prodhojë një marrëveshje mes dy vendeve. Për këtë dialog opozita ka kritikuar Qeverinë për neglizhencë të procesit derisa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tanimë ka formuar një ekip i cili do të merret me çështjen e dialogut. Por përfaqësues të emëruar të saj nuk kanë pranuar të flasin sot për RTK-në për çështjet që do të trajtojnë në kuadër të këtij ekipi.

Përfshirjen e opozitës në dialog e kanë parë të nevojshme dhe të arsyeshme analistët, sipas të cilëve, sugjerimet e partive opozitare do të ndihmon shumë Qeverinë.

 “Është me rëndësi që opozita duhet të përfshihet në fazën finale të dialogut për normalizim, edhe ideja e AAK-së duhet të përshëndetet dhe do të dëshiroja që edhe partitë tjera të kishin secila nga një mekanizëm të tillë që do ta ndihmon procesin, fundja të gjithë janë deklaruar pro dialogut dhe pro finalizimit të tij”,  ka thënë analisti Gazmir Raci.

 “Një konsensus i brendshëm politik sigurisht që do t’i ndihmonte qeverisë e cila është bartësja kryesore e dialogut që ta ketë më të lehtë të procedoj në këtë proces, tash sa i përket qeverisë ne kemi parë një ngurtësi në procesin e dialogut, zotëri Kurti prej që ka ardhur në Qeveri ka pas vetëm një takim për dialogun me zotërinë Vuçiq dhe ai  nuk ka qenë pothuajse fare produktiv, ka qenë një takim tjetër në Gjermani që ka organizua kancelari gjerman po nuk ka qenë në kuadër të procesit të dialogut. Këtu duket që më e gatshme është opozita të përfshihet në dialog ose ta shty dialogun përpara se sa Qeveria”, tha analisti Bekim Kabashi.

Sipas njohësve të çështjeve politike, finalizimi i dialogut mes dy shteteve nuk është afër, sidomos pas zhvillimeve të fundit në Evropë.

 “Edhe presidenti amerikan, edhe kancelari gjerman e kanë bërë të qartë edhe në Kosovë edhe në Serbi që njohja në qendër duhet të jetë zgjidhja përfundimtare dhe se pa njohje të ndërsjellë as Kosova dhe as Serbia nuk mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, do të ishte e udhës që brenda këtij viti të vendoseshin pikat e asaj marrëveshje finale në mënyrë që ta shfrytëzojmë edhe këtë 18 mujorshin e ardhshëm që është në dispozicion edhe për Lajçak që është emisar special i BE-së që ta finalizoë marrëveshjen në mënyrë që të ecim në rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, tha Raci .

 “Është problem me parashikua finalen e dialogut ose marrëveshjes me Serbinë, për arsye se ne jemi në kohë të gjatë në këtë proces dhe nuk është parë që është parë ndonjëherë ndonjë afrim i mundshëm i përfundimit të këtij procesi dhe arritjes së marrëveshjes, aq më tepër tani me luftën në Ukrainë kur ka ndryshua komplet forma politike e politikës evropiane po edhe globale”, tha Kabashi.

Ndërkohë, nga Qeveria nuk kanë dashur të komentojnë formimin e ekipit për çështje të dialogut nga AAK, derisa nuk kanë treguar nëse do ta ftojnë opozitën të bëhet pjesë e delegacionit.


APR
Romay Lift