Sveçla: Sulmi ndaj policëve, i paprovokuar dhe i rëndë
Lajme

Sveçla: Sulmi ndaj policëve, i paprovokuar dhe i rëndë

(E plotësuar, Ora 21:00) Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka quajtur të patolerueshëm ligjërisht dhe moralisht sulmin ndaj dy zyrtarëve policorë në Skenderaj.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se sulmi ishte i paprovokuar dhe i rëndë ndaj Policisë, derisa tha se policët në ushtrimin e detyrave publike duhet të jenë të papenguar.

“Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e Republikës”, ka shkruar ai.

Ai u ka uruar shërim të shpejtë policëve të plagosur, për të cilët ka thënë se do t'i vizitojë pas kthimit nga vizita në Bruksel, ndërkohë pret që organet e drejtësisë të ndërmarrin masa ndaj sulmuesve.

“Mbes i bindur se nuk ka asgjë që mund t'i zmbraps ata dhe kolegët e tyre nga misioni që ia jep detyra e vullneti. Unë, por dhe të gjithë qytetarët presim që organet e drejtësisë të marrin masa, sipas ligjeve në fuqi dhe pa ekuivoke për sulmuesit”, ka shkruar Sveçla.

Sulmi ndaj policëve, Çitaku: Turp të qoftë Nuredin Lushtaku

( E plotësuar, Ora 18:34) Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj ish-nënkryetarit të Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku, pasi ky i fundit dyshohet se u përfshi në një sulm me armë ndaj dy zyrtarëve policorë, ku dy prej tyre mbetën të plagosur.

Çitaku ka shkruar në Facebook se Lushtaku duhet të ketë turp për sulmin ndaj policisë.

 “Turp të qoftë Nuredin Lushtaku. Për ta sulmuar Policinë e Kosovës duhet të jetë e papranueshme në çdo rrethanë”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka thënë se shpreson që institucionet të reagojnë në zbatim të ligjit.

“Banditizmat e tilla nuk duhet të normalizohen. Askush mbi ligjin. Pikë”, ka shtuar ajo.

Nuredin Lushtaku  së bashku me disa familjarë dyshohet se janë përfshirë në plagosjen e dy policëve në Skenderaj.

Reagime pas plagosjes së policëve në Skënderaj, kërkohet zbatimi i ligjit

Donika Sherifi/ RTK

( E plotësuar, Ora:17:40) Mbrëmë para mesnate dy policë u lënduan në Skenderaj pas një gjuajtje me armë zjarri. I përfshirë në të ishte ish-nënkryetari i Skenderajt dhe ish-deputeti Nuredin Lushtaku. Mirëpo, ky i fundit pas marrjes në pyetje nga policia u lirua teksa avokati i tij tha se nuk ishte i përfshirë në gjuajtjen me armë zjarri. Policët që pësuan lëndime kanë kërkuar trajtim mjekësor në qendrën emergjente në QKUK, ku njëri vazhdon të trajtohet në Klinikën Ortopedike.

Ish-nënkryetari i Skenderajt dhe ish-deputeti Nuredin Lushtaku është përfshirë të shtunën para mesnate në një përleshje me armë zjarri në Skenderaj, në të cilën mbetën të lënduar dy zyrtarë policor.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, sipas së cilës, njëri polic është plagosur me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është lënduar nga mjetet e forta, për çka janë arrestuar dy persona dhe dy të tjerë janë në kërkim.

Për këtë përleshje Policia e Kosovës ka intervistuar Nuredin Lushtakun, për të cilin avokati i tij, Artan Qerkini tha se nuk dyshohet që ka gjuajtur me armë.

“Në fakt unë e kam taku zotërinë Lushtaku, ai është liruar nga ndalimi policor, mbi të nuk rëndon ndonjë dyshim që ai të ketë përdorur armë gjatë incidentit në fjalë, natyrisht organet policore janë duke i zhvilluar hetimet për rastin në fjalë, dhe pasi që të kem qasje në shkresat e lëndës do të mund të jem më specifik për atë se çfarë ka ndodhur, për momentin nuk mund të deklaroj diçka më shumë”, tha  avokati Qerkini.

Ndërkohë, pas deklarimeve të Lushtakut nëpër media se policët kanë gjuajtur njëri-tjetrin, ka reaguar Inspektori Policor i Kosovës, sipas të cilit nuk ka policë të dyshuar për këtë gjë.

“Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë, hetimet lidhur me këtë incident do ti vazhdojë Policia e Kosovës (pasi që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Policor.

E policët që pësuan lëndime mbrëmë pas mesnate kanë kërkuar trajtim mjekësor në qendrën emergjente në QKUK, ku njëri vazhdon të trajtohet në Klinikën Ortopedike, ndërsa tjetri është liruar në shtëpi.

Mjekja kujdestare në Klinikën e Ortopedisë, Vjosa Binqe, ka thënë se gjendja e pacientit të plagosur në këmbë është stabile dhe po merr trajtimin e duhur.

“Polici ka arritur është pranuar në ora 3:28 domethënë në mëngjes, gjendja e tij është stabile, analizat janë në normë, sa i përket lëndimit, ka pësuar lëndim në shputën e majtë, domethënë është një plagë tejshpuese me armë zjarri, është trajtuar, është vendos imobilizimi me gips, është dhënë terapia e cila jepet për këtë gjendje, antibiotikë, mbrojtje antitetanike, analgjetikë, për momentin gjendja e tij është stabile dhe nuk ka ndonjë pengesë”, tha ajo.

Për lëndimin e policëve ka reaguar Sindikata e Policisë së Kosovës e cila ka kërkuar nga organet e drejtësisë që për personat e dyshuar të veprohet sipas ligjit, derisa ka paralajmëruar se do të reagojë konform informatave që do t’i sigurojë.

Plagosën dy policë në Skënderaj

J.Musliu/ RTKlive

Gjatë natës së kaluar, dy policë janë plagosur në Skenderaj.

Policia deklaroi se  ata janë plagosur në një pikë kontrolli.
“Me datë 02.07.2022, rreth orës 23:55, është raportuar se në Skenderaj gjatë një pikë të kontrollit janë sulmuar dy zyrtarë policorë”, njoftoi policia.

“Njëri është i plagosour me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta”, shkruan në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se të dy zyrtarët policorë janë jasht rrezikut për jetë, e të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjeksorë.
Policia nuk ka dhënë detaje të tjera në lidhje me rastin.


APR
Romay Lift