Osmani telegram Bidenit: SHBA-të dhe Kosova janë rritur së bashku
Fadil Sertolli / RTKlive.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ka uruar presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e festës së 4 Korrikut. Në letrën e Osmanit drejtuar Presidentit amerikan thuhet se vendosmëria dhe shpirti i palëkundur i Etërve Themelues për të drejtuar Shtetet e Bashkuara për t’u bërë fuqia më e madhe demokratike, ekonomike dhe ushtarake e botës ka mbetur gjithmonë e pranishme.
Po ashtu Presidentja Osmani në letër drejtuar Biden thotë se e vlerëson qasjen parimore dhe mbështetjen e palëkundur për unitetin dhe sigurinë në Evropë në kohën e sfidave shkatërruese.
“Shtëpia e të lirëve dhe e trimave është sot një mbrojtës global i paqes dhe lirisë, dhe një vend shprese e rehatie për njerëzit në mbarë botën që besojnë në të njëjtin vizion për të ardhmen. Ne shikojmë drejt jush dhe jemi gati t’u mbështesim në mbrojtjen e vlerave në të cilat ne dhe njerëzit tanë besojmë.”, thuhet në letrën dërguar presidentit të SHBA-së.
Presidentja Osmani po ashtu ka përmendur në letrën e saj edhe lidhjen midis Kosovës dhe SHBA-ve, duke shtuar se Kosova dhe SHBA-të janë rritur së bashku.
“Sot populli i Kosovës feston përkrah miqve dhe aleatëve tanë amerikanë dhe flamujt tanë valëviten me krenari krah për krah. Më lejoni t’u shprehë përsëri urimet tona më të mira për këtë ditë të veçantë dhe t’u uroj juve dhe popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gëzuar 4 Korrikun”, ka shkruar presidentja Osmani në letrën e saj.























