Kosova i vendos sanksione të tjera Rusisë (Plotësuar)
Jeton Musliu / RTKlive
Sërish Qeveria e Kosovës vendosi sanksione shtesë ndaj Rusisë, për shkak të agresionit të saj ushtarak në Ukrainë.
Marrjen e vendimeve të tilla, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, e arsyetoi me kontributin dhënë në vazhdimësi të bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Këto sanksione përfshijnë: masa kufizuese të eksportit në lidhje me mallrat dhe teknologjinë me përdorim të dyfishtë, si dhe mallrat dhe teknologjinë që mund të kontribuojnë në përmirësimin teknologjik të sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë së Rusisë.
Po ashtu masa kufizuese që ndalojnë investimet e reja në sektorin energjetik rus.
Nga vendet e rajonit, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia kanë dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës.
Ndërkaq, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë të vetmet që nuk e kanë dënuar agresionin rus.
Sanksionet e para konsistojnë në: ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuara, ndalim udhëtimi në territorin e Republikës së Kosovës për individët e sanksionuar, ndalim për individë dhe entitete në Republikën e Kosovës, që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte ose indirekte, për individët dhe entitetet e sanksionuara.
Vendos Qeveria, mërgimtarëve u paguhen polisat e sigurimit
Edhe këtë verë, mërgimtarët që vijnë për pushime në atdhe nuk do të paguajnë polisën e sigurimit kufitar për automjetet e tyre.
Kështu deklaroi kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë.
Duke iu dëshiruar mirëseardhje mërgimtarëve, kryeministri Kurti deklaroi se aplikimi dhe rimbursimi do të bëhet online, pa pasur nevojë të pritet.
“Qeveria e Kosovës do të mbulojë koston e policës kufitare. Procedura vazhdon të jetë e thjesht”, deklaroi kryeministri.
Ai sqaroi se polica mund të bëhet edhe fizikisht por edhe online para se mërgimtarët të nisën drejt Kosovës.
“Ata pastaj mund të aplikojnë për rimbursim. Mërgata jonë jeni pjesë integrale. Ministria e Diasporës po punon për projektligjin për Diasporën”, tha ai.
Përveç kësaj, kryeministri tha se Qeveria është duke u punuar për herë të parë për mësimin gjuhës shqipe në diasporë.
Emërohet Bordi i ri i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore
Ndërkohë, Qeveria miratoi edhe përbërjen e re të Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi propozoi anëtarët të cilët janë Dafina Gexha-Bunjaku nga Ministria e Shëndetësisë, Ahmet Ismaili e Klit Shala nga Ministria e Financave, Kastriot Meqa nga Oda e Mjekëve, Agreta Gecaj-Gashi nga SHSKUK-ja dhe Muhamedali Kodra nga Shoqata e Pacientëve.
Kabineti qeveritar do të shqyrtojë 23 pika, të cilat janë në rend të ditës.























