Muçaj në rolin kryesor në filmin “Everybody calls me Redjo”
Kulturë

Muçaj në rolin kryesor në filmin “Everybody calls me Redjo”

Muharrem Miftari/RTKlive

Aktori i njohur kosovar, Afrim Muçaj, do ta ketë rolin kryesor në filmin “Everybody calls me Redjo” me skenar të Ibër Dearit e Artin Selmanit e me regji të Ibër Dearit, xhirimet e të cilit do të fillojnë në muajin gusht.

Ky film është filmi debutues i Dearit, sa i përket filmave të metrazhit të gjatë  i mbështetur nga  Agjensioni Shtetëror i Maqedonisë së Veriut.

Afrim Muçaj, në një deklarim për RTK.live ka thënë se ndjehet me fat për besimin e dhënë në këtë projekt.

“Realisht mund të them që ndihem me fat për këtë besim që regjisori Ibër Deari më ka dhënë, por nuk mundem ta mohoj që më pret një sfidë e madhe përpara dhe prandaj po kujdesem qysh tani që ta menaxhoj më së miri "Rexhon, që e thërrasin të gjithë". Kemi të bëjmë me një personazh goxha kompleks dhe mund të them që po punojmë goxha fort që të mund ta sjellim një rol dhe një film të bukur dhe me ambicie para publikut shqiptar dhe jo vetëm”, ka thënë Muçaj.

Muçaj thotë se ndihet optimist dhe beson që bashkë me regjisorin Deari dhe me ekipin e "Redjo-s" do të sjellim një film të bukur.

“Realisht po ndihem i mbushur me shumë energji dhe po e pres me padurim ta dëgjoj zhurmën e kllapës dhe fjalën aksion në këtë projekt. E dua këtë rol, këtë film, është një hapësirë fort e lakmueshme, por e di që na pret edhe një punë e madhe përpara. Pa modesti mendoj dhe besoj që bashkë me Ibron dhe ekipin e ‘Redjo-s’ do të sjellim një film të bukur” tha ai.

Duke uruar që do t’ia dalim me këtë projekt të madh, Muçaj ka thënë se “Every body calls Redjo” do të jetë sfida e tij e radhës. “Dhe besoj se nuk do t’i zhgënjej ata që do të më thërrasin Rexho’’, ka përfunduar Muçaj.

Po ashtu regjisori Ibër Deari në një prononcim për RTK.live tha se ndjehet i lumtur që punët për këtë projekt po ecë shumë mirë dhe pothuajse çdo gjë është gati.

“Tema e filmit është sociale dhe shume aktuale, në një fshat fiktiv sikur që është fshati Sllupkovë, nga kushtet e vështira ekonomike ndodh ikja e madhe e të rinjve dhe punëtorëve , në këtë fshat me shumë mbesin njerëz të moshave të shtyra dhe kanë nevojë që dikush të kujdeset për ta, kështu që i vetmi person që mbetet aty për t’i ndihmuar është Rexho dhe të gjithë e kërkojnë Rexhon. Ai kudo që shkon na zbulon nga një histori të veçantë brenda fshatit”, thotë Deari.

Ai shtoi që rolin kryesor do ta luajë aktori i  njohur kosovar Afrim Muçaj, kurse aktorët e tjerë do zbulohen gjate ditëve në vazhdim, gjithsej janë 24 personazhe. Xhirimet e filmit pritet të fillojnë në muajin gusht 2022, kurse premiera sigurisht vitin e ardhshëm.

Në këtë projekt është punuar më shumë se 4 vjet, ekipa kanë qenë të përgatitur të fillojmë edhe më herët, por pandemia ka ndikuar shumë në ngadalësimin e realizimit të projektit, filmi do të xhirohet në fshatin Sllupçan (Komuna e Likovës).


APR
Romay Lift