Luginasit kërkojnë përfshirjen e çështjes së tyre në dialogun Kosovë-Serbi
Lajme

Luginasit kërkojnë përfshirjen e çështjes së tyre në dialogun Kosovë-Serbi

Luginasit thonë se në bisedimet Kosovë-Serbi e që po ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian, përkatësisht nga Miroslav Lajçak, do të duhej të kthenin sytë edhe nga shqiptarët e Luginës, si dhe të fusin si temë që të zgjidhet njëherë e përgjithmonë çështja e tyre në Luginë të Preshevës.

Deklarata e emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun me Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, se çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, asnjëherë nuk ka qenë temë e bisedës në dialogun Prishtinë - Beograd, ka ngjallur reagimet e përfaqësuesve institucionalë dhe të shoqërisë civile. Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar i ka quajtur shqetësuese deklarata e tilla, ndërkohë që zgjidhjen e statusit të shqiptarëve të Luginës ai e sheh te dialogu Kosovë - Serbi.

“Deklaratat e zotit Lajçak janë shqetësuese në rast se janë të vërteta dhe njëkohësisht kërkojë që institucionet e Republikës së Kosovës që të sqarojnë se çfarë ka ndodhur në këtë proces. Sepse shpresa e fundit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për zgjidhje përfundimtare të çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës është në dialogun Kosovë - Serbi, sepse është pjesë e kontekstit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Ragmi Mustafi, kryetar i KNSH-së.

I pari i Kuvendit në Bujanoc, Enver Ramadani e ka quajtur politike deklaratën e Mirosllav Lajçakut, ndërkohë që ai iu beson institucioneve të Republikës së Kosovës për përfaqësim të shqiptarëve të Luginës në procesin e dialogut.

“ Neve jemi në kontakte të vazhdueshme me krerët e Republikës së Kosovës, me Qeverinë e Kosovës, me presidencën, dhe shpresojmë njëkohësisht besojmë fuqishëm që shqiptarët e Luginës së Preshevës të trajtohen në dialogun Kosovë ? Serbi e vetmja zgjidhje për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Luginës së Preshevës në tërësi. Kjo deklaratë është politike dhe jo e bazuar në dialogun mes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe krerëve apo institucioneve të Republikës së Kosovës”, thotë Enver Ramadani, kryetar i Kuvendit në Bujanoc.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, mendojnë se Lajçak ka ngritur një temë në vete kur ka thënë se u takon palëve që të përcaktojnë temat e dialogut, ndaj institucionet e Republikës së Kosovës e kanë obligim shtrimin e temës së Luginës në procesin dialogut.

 “Siç tha edhe kryenegociatori Lajçak, i takon palëve vet që të propozojnë temat të cilat duhet të diskutohen, kështu që pala kosovare në mënyrë emergjente duhet që në takimin e ardhshëm ta shtrojë edhe pozitën e shqiptarëve të Luginës”, thotë Jeton Ismaili, gazetar.

 “Kemi pritur që nga këto bisedime tashmë të kemi një zgjidhje të problematikave që i kemi në Luginë të Preshevës, tashmë e njëzet vite. Prandaj, kërkojmë që nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga bisedimet Kosovë - Serbi, çështjet e Luginës së Preshevës të shtrohen në tavolinën e bisedimeve”, Shefku Jonuzi, nga OJQ Shoqata për Vizion dhe Zhvillim.

Kërkesa e përfaqësuesve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për zgjidhjen e gjendjes së tyre në mënyrë reciproke me statusin e serbëve të Kosovës përmes procesit të dialogut Prishtinë - Beograd, përveç që ka qenë e përhershme, ajo është jetike për një stabilitet afatgjatë dhe të qëndrueshëm në këtë zonë.

 


APR
Romay Lift

MË SHUME NGA Lajme