Kurti – Dendias: U potencua nevoja për liberalizim të vizave
Naser Mekolli /RTKlive.com
Kryeministri Kurti bisedoi me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, për mundësitë e thellimit të raporteve ndërmjet të dyja vendeve.
“Raportet e shkëlqyeshme ekzistuese ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, si dhe mundësitë e thellimit të tyre u theksuan në takimin ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias”, njofton zyra për informim e kryeministrit.
Bëhet e ditur se me këtë rast u potencua nevoja për liberalizim të vizave, si proces tashmë i vonuar.
Kryeministri Kurti kërkoi përkrahje nga Greqia për vendin tonë në integrimin e mëtutjeshëm në organizata rajonale.
“Gjatë takimit u diskutua rreth zhvillimeve rajonale, si dhe ndikimit politik dhe ekonomik të luftës në Ukrainë. U dakorduan për domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve të përbashkëta sanksionuese ndaj Rusisë, si dhe përfshirjen e të gjithëve pa përjashtim në ndihmë Ukrainës, për të përballuar agresionin rus”, thuhet tutje në këtë njoftim.
Gjithashtu u theksua nevoja për rritjen e angazhimit për zvogëlimin e ndikimit nga aktorë të tretë në rajonin tonë, si dhe perspektivën zhvillimore dhe integruese të Ballkanit Perëndimor.