Nuk kalon mocioni i LDK-së për shkarkimin e Bordit të ZRRE-së
Blerim Halimi / RTKlive
Ka dështuar të kalojë mocioni i LDK-së për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Pas debatit ndërmjet opozitës dhe mazhorancës rreth kësaj teme, mocioni është hedhur në votim, e ku vetëm 22 deputetë votuan pro, derisa 53 ishin kundër.
Mocioni i propozuar nga LDK, mori përkrahjen vetëm nga PDK e AAK, derisa partitë e mazhorancës e kundërshtuan atë.
Opozita kërkon shkarkimin e Bordit të ZRRE-së
(E plotësuar 14:20) Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës po debatohet rreth mocionit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Deputeti i këtij subjekti politik, Armend Zemaj, duke folur rreth këtij mocioni ka thënë se Bordi i ZRRE-së ka dështuar t’i përmbushë objektivat e parashtruara nga Kuvendi për mbrojtjen e interesit qytetar. “Ky bord në mënyrë të padrejtë ka bërë shtrenjtimin e energjisë elektrike. Edhepse ka vendime të gjyqësorit që të ndalet pagesa e energjisë elektrike me tarifën e shtrenjtë, qytetarët ende po vazhdojnë të kryejnë këto pagesa të faturave me tarifë të shtrenjtë. Andaj, në këtë krizë ekonomike, ne kemi propozuar shkarkimin e këtij bordi që ua ka rënduar jetën e qytetarëve”, ka thënë Zemaj.
Kërkesën e LDK-së për shkarkimin e Bordit të ZRRE-së deputetja e VV-së, Mimoza Kusari e ka vlerësuar të paarsyeshme. Ajo ka thënë se kjo kërkesë përveç se ka mungesë të argumentimit, ka edhe mangësi serioze në dispozitat ligjore.
Ndërkaq, pro mocionit të LDK-së janë shprehur deputetë të PDK-së, Ferat Shala dhe Blerta Deliu-Kodra. Ata kanë thënë se përkundër se janë dy vendime të gjykatave që kanë konstatuar shkelje të këtij Bordi me rastin e shtrenjëtimit të energjisë ai vazhdon të jetë funksional.
Blerta Deliu-Kodra ka thënë se e dinë se ky mocion do të dështojë, ngase deputetët e mazhorancën nuk do të zgjedhin të shkarkojnë Bordin e ZRRE-së, ndonëse ata kanë vepruar në dëm të qytetarëve të vendit.
Ajo ka paralajmëruar se javën e ardhshme PDK do ta dorëzojë vendimin e Supremes në Gjykatën Kushtetuese dhe si subjekt politik do ta vazhdojnë rrugën ligjore për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve.
Dështon miratimi i projektligjit për deklarim të pasurisë, s’ka kuorum
Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta miratojë në lexim të dytë Projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave dhe as raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2021, për shkak të mungesës së kuorumit.
Në rend dite në seancën e sotme janë edhe shqyrtimi i Mocionit për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, si dhe formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.























