Spanca vlerëson lart bashkëpunimin e AKP-së gjatë procesit të auditimeve
Foto: AKP
Lajme

Spanca vlerëson lart bashkëpunimin e AKP-së gjatë procesit të auditimeve

F.Sertolli / RTKlive.com

Me ftesë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, u realizua një takim në mes AKP-së dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, thuhet në një njoftim për media nga AKP-ja.

Me këtë rast, drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Arben Limani së bashku me dy zëvendës drejtorët menaxhues, Valbona Dibra dhe Avni Jashari, pritën në takim Auditoren e Përgjithshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës Vlora Spanca, së bashku me zëvendës auditorin e përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe me Ndihmës Auditoren e përgjithshme Myrvete Gashi.

Tutje vazhdon njoftimi se Limani ka falënderuar Zyrën Kombëtare të Auditimit për Raportin e Auditimit të Pasqyrave Financiare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2021 dhe për Raportin e Auditimit të Pasqyrave Financiare të Fondeve në Mirëbesim të AKP-së për vitin 2021.

Po ashtu Limani, në emër të AKP-së e njoftoi Auditoren e Përgjithshme se Plani i Zbatimit të Rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm është aprovuar nga ana e Bordit të Drejtorëve të AKP-së dhe do të dorëzohet brenda afatit ligjor dhe se të gjitha të gjeturat do të adresohen sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi.

Ndërsa, AKP vlerëson lart bashkëpunimin profesional të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe ndihmën që Zyra Kombëtare e Auditimit po jep në ngritjen e përgjegjësisë institucionale në përgjithësi dhe në veçanti në proceset e AKP-së duke dhënë rekomandime konkrete për adresimin e të gjeturave.

Kurse, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës vlerësoi bashkëpunimin e Agjencisë Kosovare te Privatizimit gjatë procesit të auditimeve dhe mirëpriti gatishmërinë e AKP-së për të adresuar rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.


APR
Romay Lift