Ministria e Shëndetësisë miraton dozën e katërt të vaksinës anti-Covid19
Lajme

Ministria e Shëndetësisë miraton dozën e katërt të vaksinës anti-Covid19

Blerim Halimi /RTKlive.com

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizimin e popullatës me vaksinën kundër COVID-19 për lejimin e vaksinimit me dozën e katërt të grup-moshës së popullatës mbi 60 vjeç, të paktën 4 muaj pas marrjes së dozës së tretë.

Ky rekomandim i Komitetit është mbështetur në rekomandimet rreth vaksinimit COVID-19 të dhëna nga organizatat kredibile ndërkombëtare si EMA dhe CDC.
Vaksinimi bëhet në qendrat e vaksinimit në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor në komunat e Kosovës. Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet një komunikate u ka bërë thirrje qytetarëve, që të vaksinohen kundër COVID-19, pa asnjë hezitim, për të parandaluar rritjen e rasteve të COVID-19, format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet nga kjo sëmundje.

MSH ka rikujtuar se me dozën e parë dhe të dytë mund të vaksinohen të gjithë personat e moshës mbi 12 vjeç. Me dozën e parë, të dytë dhe të tretë tretë mund të vaksinohen të gjithë personat e moshës mbi 18 vjeç, derisa me dozën e katërt, mund të vaksinohen personat e moshës mbi 60 vjeç, me kusht që të kenë kaluar katër muaj nga marrja e dozës së tretë.

Ditëve të fundit edhe në vendin tonë ashtu si në shumicën e vendeve tjera është rritur dukshëm numri i personave me Covid-19. Vetëm dje janë raportuar 341 raste pozitive, por fatmirësisht nuk ka pasur raste të vdekjes nga koronavirusi.


APR
Romay Lift