Ekskluzive: Sonte në ‘RTK PRIME’ flet Mircea Geoana, numri dy i NATO-s
RTKlive
Në Kosovë po qëndron për vizitë zyrtare, Zv.Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana. Ai u prit sot në takim nga Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani-Sadriu. Sidoqoftë, zyrtari i lartë i Aleancës Veri-Atlantike vendosi që mesazhet e tij dhe NATO-s për kosovarët, t’i japë përmes Radiotelevizionit të Kosovës.
I ftuar në emisionin “RTK PRIME” përballë gazetares Fitore Rexhepi, numri dy i NATO-s, shpalos detaje mbi takimin me Presidenten Osmani- Sadriu, por edhe me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.
Gjithashtu ai do të japë përgjigje edhe në shumë çështje të tjera, kryesisht të karakterit të sigurisë.
Cili është qëndrimi i NATO-s për sigurinë në Ballkanin perëndimor dhe strategjia e aleancës tani pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën?
Cili është pozicioni i NATO-s kundrejt kërkesës së Kosovës për antarësim në ‘Partneritetin për Paqe’?
Si e shikon NATO pozicionin pro-rus të Serbisë në situatën aktuale të agresionit të Moskës mbi Kievin?
Sa sfidë është për Kosovën rruga drejt antarësimit në NATO?
Për këto dhe çështje të tjera, sonte në ‘RTK PRIME’ përgjigje do të japë Zv.Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana. Emisioni ‘RTK PRIME’ transmetohet të martën, të mërkurën e të enjten me fillim në orën 20:20h në RTK1.
























