Rreth 200 persona dyshohet se u helmuan nga uji në Kaçanik
Shqipe Gashi/RTKlive
Pas dyshimeve për helmim të disa qytetarëve, e ku, në fakt, kanë qenë më shumë se 200 persona nga disa fshatra të Kaçanikut që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, kanë reaguar organet komunale. Qytetarët kanë kërkuar trajtim në Qendrën e Mjekësisë Familjare ku të gjithë kishin simptoma të ngjashme si diarre dhe të vjella. Mjekët e Qendrës së Mjekësisë Familjare, në Kaçanik, dyshojnë në helmim të mundshëm nga uji i pijes.
Në emisionin ‘InfoPlus’, në RTK, në një lidhje të drejtpërdrejtë, ishte i ftuar Sinan Zeneli, drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Kaçanik. Ai foli për gjendjen e pacientëve dhe tregoi për analizat e bëra lidhur më këto dyshime.
“Që nga data 5 deri me sot, 7 korrik, numri i pacienteve që kanë kërkuar shërbime shëndetësore në QKMF ka shkuar në 300. Simptomat e tyre kanë qenë vjellje, diarre, temperaturë, ethe, ngërçe , plogështi dhe mundim”, tha ai. “Ne kemi dyshuar se mos është në pyetje ndonjë kontaminim i ujit, pasi që kemi pasur pacientë nga fshatrat Piqec, Nikë , Rekë, Biqec dhe Doganaj. Ne, që nga data 5 korrik e kemi lajmëruar dhe kemi bërë kërkesë zyrtare tek Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Ferizaj”, tha Zeneli për RTK.
“Ata kanë ardhur dhe i kanë marrë mostrat e ujit, për të bërë analizat kimike dhe bakteriologjike. Analizat kanë dalë në rregull, por gjatë ditës së nesërme do të presim nga Instituti që të na dërgojë raportin për analizën bakteriologjike të mostrave të marra”, tha ai.
Lidhur me gjendjen e pacientëve dhe në 24 orët e fundit me këto simptoma, ai theksoi se ka pasur të tilla, por asnjë rast nuk është i hospitalizuar.























