Ministri Latifi u bën thirrje qytetarëve të zbatojnë masat kundër COVID-19
Emine Hoti/RTKlive
Ministria e Shëndetësisë ka dalë me një komunikatë lidhur me gjendjen epidemiologjike në vend, pas rritjes se rasteve me Covid gjatë ditëve të fundit.
Latifi u bëri thirrje qytetarëve ta rrisin kujdesin, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, si dhe të vaksinohen me dozën e katërt.
“Në veçanti, u bëhet thirrje personave mbi 60 vjeç dhe personave me imunitet të komprometuar që të shmangin qëndrimet në ambiente ku ka grumbullim të njerëzve, përderisa rekomandohet bartja e maskës në ambiente të mbyllura dhe vaksinimi për grup-moshat e lejuara që të vaksinohen”, shkruan në njoftim.
Ministri u ka bërë thirrje edhe të gjitha institucioneve publike, private veprimtarive ekonomike, në veçanti sektorit të gastronomisë, sektorëve të kulturës, sportit, si dhe të gjitha veprimtarive të tjera, që të zbatojnë masën në fuqi që të punësuarve, klientëve dhe pjesëmarrësve në aktivitete dhe veprimtari përkatëse, t’u kërkohet dëshmia e marrjes së dy dozave të vaksinës kundër COVID-19, përveç personave nën moshën 16 vjeç dhe personave të liruar nga vaksinimi sipas kundërindikacioneve për vaksinim me dëshmi të mjekut.
MSH-ja u rekomandon qytetarëve bartjen e maskave mbrojtëse në hapësirat e brendshme, si dhe vaksinimin me dozat përkatëse anti-COVID.
“Ndryshimi eventual i masave në fuqi do të mundë të bëhet sipas rekomandimeve të institucioneve relevante dhe ekspertëve, në varësi të situatës epidemiologjike dhe projeksioneve rreth zhvillimit të saj”, thuhet tutje në komunikatë.























