Numër i vogël i të interesuarve për vaksinim
Qendresa Duraku
Numri i të infektuarve me virusin SARS Cov 2 ka shënuar rritje të dukshme në ditët e fundit edhe në Kosovë.
258 persona të tjerë kanë rezultuar pozitiv gjatë së enjtes, teksa Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se është lejuar vaksinimi me dozën e katërt të vaksinës kundër Covid-19 për personat mbi 60 vjeç. Mirëpo RTK në terren ka vërejtur numër jo të kënaqshëm të personave të interesuar për vaksinim.
"E pash që po rritet numri i të infektuar dhe meqenëse punoj në kolektiv të madh, e pash të arsyeshme ta marrë edhe dozën e tretë", theksoi për RTK-në, Ardian Gegaj, qytetar nga Prishtina.
Sipas zyrtarëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, në këtë qendër ka një trend të rritjes së qytetarëve për vaksinim.
"Interesimi qytetarëve është në rritje. Për çdo ditë bëjmë prej 20 deri 25 doza. Interesimi është në rritje e sipër", tha Naim Sfeqla, udhëheqës i vaksinimit në Prishtinë.
Ndërkohë në Fushë Kosovë interesimi për t'u vaksinuar është i ulët. Në Qendrën e vaksinimit në Fushë Kosovë gjatë ditës së enjte, sipas zyrtarëve shëndetësore, janë vaksinuar vetëm 4 qytetarë. Përkundër thirrjes për vaksinim interesimi është i vogël për vaksinim, kjo për faktin se gjatë 24 orëve të kaluara, në nivel vendi janë vaksinuar vetëm 78 qytetarë.
"Gjatë ditës së sotme janë vaksinuar vetëm 4 qytetarë në komunën e Fushë Kosovës. Interesimi për t’u vaksinuar ka rënë. Marrin vaksina vetëm ata të cilët e kanë të kushtëzuar me i marrë, përndryshe nuk po i marrin", tha Vjollca Gjikoli, udhëheqëse e vaksinimit në Fushë Kosovë.
Ministria e Shëndetësisë, dje, e ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizimin e popullatës me vaksinën kundër Covid-19 për lejimin e vaksinimit me dozën e katërt për personat mbi 60 vjeç, të paktën 4 muaj pas marrjes së dozës së tretë.























