Tërnava uron Kurban Bajramin: Festat tona kultivojnë begatitë shpirtërore
BKT
Lajme

Tërnava uron Kurban Bajramin: Festat tona kultivojnë begatitë shpirtërore

B. Halimi / RTKlive

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke iu dëshiruar shëndet e mbarësi. Ai në mesazhin e kësaj feste ka shprehur vlerat e kësaj feste siç janë devotshmëria, barazia, sakrifica, flijimi e solidariteti.

“Në këtë ditë të madhe, kam kënaqësinë që në emër të Bashkësisë Islame, institucioneve të saj dhe në emrin tim, t’u bashkëngjitëm lutjeve e ibadeteve të besimtarëve myslimanë që sot janë në rrafshnaltën e Arafatit, ku të gjithë të veshur me petkun e bardhë – me ihrama, të barabartë e pa asnjë dallim, me çiltërsinë shpirtërore e me bindje dhe sinqeritet, kanë nisur kryerjen e obligimeve të haxhit. Haxhilerët nga trojet tona, sikurse haxhilerët e tjerët nga e gjitha bota, në këtë ditë të madhe luten me përkushtim e devocion dhe i drejtohen Krijuesit të Gjithësisë, duke dëshmuar kështu besimin dhe përkushtimin e tyre ndaj Tij”, thuhet në mesazhin e myftiut Tërnava.

Tutje i pari i Bashkësisë Islame ka thënë se festat e dy Bajrameve, si për nga karakteri, po ashtu edhe për nga ndikimi, janë festat më popullore për besimtarët myslimanë, ngase në këto festa besimtarët si në asnjë rast tjetër, përjetojnë shpirtërisht e emocionalisht afërsinë me Krijuesin, ngrohtësinë e familjes e farefisit, respektin e mirëkuptimin për tjetrin, ndihmën dhe përkrahjen për vëllain e për ata që kanë nevojë.

“Festat fetare te ne, në vazhdimësi kanë kultivuar begatitë shpirtërore para atyre materiale, urtësinë para euforisë, drejtësinë para zullumit, paqen para konfliktit e dhunës dhe solidaritetin e bamirësinë para koprracisë, ndaj, ne lutemi dhe urojmë që edhe ky Bajram të jetë në frymën e tillë. Duke ju uruar për festën e madhe të Kurban-Bajramit, lus Zotin për shëndet, mbarësi, begati, dashuri e harmoni në familjet tuaja”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Tërnavës.


MË SHUME NGA Lajme