Rritet numri i studentëve në programin Mjekësi e Përgjithshme
BKT
Lajme

Rritet numri i studentëve në programin Mjekësi e Përgjithshme

Ardiana Hajzeri /Radio Kosova

Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina” në këtë vit akademik ka rritur numrin e studenteve të rinj në programin Mjekësi e Përgjithshme, nga 140 sa ishin vitin e kaluar, në 200. Sipas drejtuesve të institucioneve shëndetësore dhe atyre arsimore, kjo ka ardhur si rezultat i kërkesave të vazhdueshme dhe nevojës për rritjen e numrit të studentëve në këtë fakultet.

Pas kërkesave të vazhdueshme që janë bërë për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, këtë vit Universiteti i Prishtinës “ Hasan Prishtina” ka marrë vendim që numri i studenteve të rinj që regjistrohen, të rritet për 60 studentë në programin Mjekësi e Përgjithshme. Këtë e ka bërë të ditur në një përgjigje për Radio Kosovën  prorektorja e Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina”, Mimoza Ibrani.

 “Në këtë vit akademik Universiteti i Prishtinës “ Hasan Prishtina” ka marrë vendim për rritjen e numrit të studentëve të rinj në programin Mjekësi e Përgjithshme. Këtë vit do të regjistrohen 200 studentë të rinj, që do të thotë se numri është rritur për 60 studentë,  nga 140 sa ishte vitin e kaluar, në 200” , thotë Ibrani.

Kosova po vazhdon të përballet me problemin e ikjes se mjekëve për në vendet evropiane, si pasojë e pagave të ulëta, kushteve të punës dhe mundësive për shkollimin e mëtutjeshëm, ku sipas të dhënave të fundit, për 28 ditë, u larguan 42 perona staf shëndetësor. Ditë me parë ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, tha se është i rëndësishëm edukimi i mjekëve dhe specializantëve. Kjo, theksoi ai, do të bëhet në harmoni me nevojat e  shtetit dhe në bazë të parashikimeve të ekspertëve.


MË SHUME NGA Lajme