Besimtarët myslimanë në Kosovë bëhen gati për festën e Kurban Bajramit
Valjete Shala/ RTK
Gjatë ditës së sotme, besimtarët myslimanë në Kosovë kanë nisur të bëhen gati për shënimin e Kurban Bajramit. Shumë prej tyre dolën për të blerë kurban që do t`i therin nesër derisa një pjesë e tyre u ankuan edhe për çmimet e larta.
Qamil Dili thotë se si çdo vit si traditë del ne një nga tregjet e kafshëve në Prishtinë, për të blerë kurban.
“Kurbani blihet për qejf. Nuk këqyret për 10 euro. Edhe ky ka pas shpenzime me majtë këtë kurban. Ma mirë është me pre kurbanin në shtëpi. E shohin familja e mësojnë traditën shqiptare-myslimane" ka thënë Qamil Dili - qytetar
Por pak metra tutje pazari për një kurban nuk u bë. Shkak ishte çmimi i lartë.
“Unë i kam shit 120 copa, veç ky dash me ka mbet. E këta e qita pak për reklamë më së shumti me pa tjerët se çfarë dashi është. Sivjet çmimet janë më të larta për 20-30 euro” Habib Halili- tregtar.
“Pak shtrenjtë në krahasim me vitin e kaluar. Ma lire janë kanë. 150 euro një" tha Habib Halili- tregtar.
Ndërsa porosi për therjen e kurbanit, qytetarët kanë bërë edhe në Bashkësinë Islame të Kosovës.
“Edhe këtë vit dhe në çdo qytete të vendit edhe qytetarët dhe nga mërgata qe kanë paguar kurbanin, do të theret pastaj do të shpërndahet. Vitin e kaluar kanë përfituar mbi 35 mijë familje nga 5 kg mish. Edhe sivjet duket se është po ashtu i njëjtë", tha Behgjet Ajvazi- SHHB Bereqeti.
E njëri nga ata i cili porositi therjen e Kurbanit është edhe bashkëkombësi nga mërgata, Sylejman Dragusha.
“Është mëse e sigurt se ku shkon mishi, në bashkësinë Islame më së i sigurt i cili do të shkoj në familjet skamnore" Sylejman Dragusha- bashkatdhetar .
Përveç në tregun e kafshëve, edhe në tregun e Vjetër në Prishtinë, qytetarët u furnizuan me gjërat e nevojshme. Por nuk munguan as këtu ankesat për çmime.
“Çmimet janë shumë të larta. Me këto rroga e pensione janë të larta" tha një blerës.
“Në krahasim me vendet tjera, me këtë standard shtrenjtë”thotë një tjetër blerës.
Megjithatë, shitësit thonë se çmimet nuk janë shumë të larta.
“Për bajram ka pas kërkesa gjithë dhe ka sepse ka nevojë. Këtë ditë e presim, është ditë gëzimi. Ka njerëz qe kanë edhe hidhërime por i bashkohemi të gjithë. Çmimet janë rritur pak por jo edhe shumë" tha Eset Haxha- Tregtar
Festa e Fitër dhe Kurban Bajramit përbëjnë dy nga festat më të rëndësishme për myslimanët.























