(E plotësuar) LDK uron besimtarët myslimanë për Kurban Bajram
BKT
Lajme

(E plotësuar) LDK uron besimtarët myslimanë për Kurban Bajram

KP

Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të prirë nga sekretari i përgjithshëm Imri Ahmeti, kanë vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës ku prej aty kanë uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit.

Ahmeti ka falënderuar edhe Bashkësinë Islame të Kosovës për rolin e saj që ka luajtur në të gjitha proceset që ka kaluar vendi.

“Shfrytëzoj rastin të gjithë qytetarëve të besimit islam t'ju uroj këtë festë me dëshirat dhe vullnetin për mirëqenie më të mirë të qytetarëve. Natyrisht falënderojmë shumë BIK-un, myftiun Tërnava dhe të gjitha strukturat për kontributin e jashtëzakonshëm për të gjitha proceset që po kalojmë si shoqëri”, deklaroi Ahmeti.

Ndryshe, besimtarët myslimane kremtimet për Kurban Bajram i kanë nisur që në orët e hershme të mëngjesit me faljen e namazit të sabahut e më pas edhe atë të Bajramit.

(E plotësuar) Krasniqi: Të frymëzohemi nga simbolika e Kurban Bajramit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, nga selia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit, duke kërkuar që të ndiqet shembull i kësaj feste dhe të bëhen punë të mira për vendin.

Krasniqi uroi në mënyrë të veçantë edhe familjet e dëshmorëve dhe të martirëve si dhe për udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë duke uruar kthimin sa më të shpejtë të tyre.

 “Është një nga ditët e mëdha dhe ditët e veçanta kur ne mendojmë edhe më shumë sesa në ditët e zakonshme për bamirësinë, solidaritetin por edhe për sakrificën sepse janë këto simbolika të kësaj feste. Në këtë ditë padyshim që mendojmë për ata që kanë nevojë për t'ju gjetur pranë, mendojmë për njerëzit të mirë të vendit të cilët nuk i kanë të afërmit e atyre afër vetes, i urojmë në mënyrë të veçantë familjet e dëshmorëve dhe të martirëve. Në këtë ditë padyshim mendjen e kemi edhe tek udhëheqësit e UÇK-së që po mbahen në Gjykatën Speciale duke shpresuar që shpejt do t'i kemi në mesin tonë. Por po ashtu thërrasim dhe ftojmë që të marrim nga shembulli i Kurban Bajramit dhe t'i gjendemi më afër njëri-tjetrit, të kemi më shumë mirëkuptim për njëri-tjetrin, më shumë dashuri për njëri-tjetrin dhe të frymëzohemi për të bërë më shumë punë të mira për vendin e kombin tonë”, deklaroi Krasniqi.

Bashkësia Islame e Kosovës ka organizuar pritjen tradicionale të Kurban Bajramit, ku përpos Krasniqit, për urime ishin edhe krerë të tjerë institucionesh.

(E plotësuar) Konjufca: Populli ka ditur të ruajë besimin e sinqertë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, uroi të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit. Ai qëndroi në Bashkësinë Islame të Kosovës të cilët i falënderoi për kultivimin e besimit të sinqertë dhe ndihmën ndaj nevojtarëve.

Konjufca u shpreh se Kurban Bajrami na rikujton vlerat më ta larta njerëzore dhe lidhjen me Zotin.

 “Kjo festë është shumë e rëndësishme sepse na e kujton lindjen e ngritjen shpirtërore të njeriut, lidhjen e njeriut me krijuesin, me Zotin tonë, e po ashtu, edhe sakrificën e nevojshme në mënyrë që të arrihet besimi i sinqertë dhe i vërtetë. Populli ynë ka kaluar nëpër shumë vështirësi, nëpër udhëkryqe të rrezikshme të cilat nuk kanë qenë aspak të lehta por populli ynë gjithmonë ka qenë në gjendje që ta ruaj besimin e sinqertë dhe besimin e vërtetë dhe për këtë shkon një falënderim i veçantë për BIK-un e po ashtu për myftiun Tërnava të cilët kanë dhënë një kontribut të çmueshëm që besimi i popullit të jetë një besim i shëndoshë dhe i cili na duhet”, u shpreh Konjufca.

Kryekuvendari Konjufca pati falënderime ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës edhe për ndihmat ndaj nevojtarëve në një kohë të vështirë si kjo kur inflacioni është rritur e për pasojë edhe çmimet.

(E plotësuar) Përfaqësuesit e Kishës Katolike urojnë myslimanët festën e Kurban Bajramit

Përfaqësuesit e Kishës Katolike dhe të Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë ishin të parat që mbërritën në Bashkësinë Islame të Kosovës për të shprehur urime për Kurban Bajram.

Don Lush Gjergji, në emër të Ipshekvit Imzot Dodë Gjergji, uroi krerët e BIK-ut dhe përmes tyre të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, duke apeluar për unitet e vëllazëri.

 “Të përforcohet sa më tepër bashkimi, afrimi, takimi, vëllazëria e gjithmbarshme sidomos kërkimi i vlerave dhe virtyteve për të cilat kemi nevojë më tepër së kurrë. Dashtë Zoti që këto festa të ndihmojnë që të vetëdijesohemi dhe të përcaktohemi për vlera dhe për virtyte. Me ndihmën e Zotit dhe vëllazërinë tonë gjithshqiptare arrijmë që të jemi së bashku dhe të jemi një në porosinë që ka dhënë kreu i BIK-ut , ku theksohet mbi të gjitha bashkëpunimi, uniteti, vëllazëria, që janë elemente pa të cilat nuk mund të shkojmë përpara”, u shpreh Don Lush Gjergji.

Pas faljes së namazit të sabahut dhe atij të Bajramit, Bashkësia Islame e Kosovës ka hapur dyert dhe po pret mysafirë në ditën e parë të kësaj feste.

 


MË SHUME NGA Lajme