SHBA dhe BE apel Shkupit që ta pranon propozimin francez
Gjeraqina Tuhina/ RTK/ Bruksel
Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borell si dhe sekretari I shtetit amerikan Anthony Blinken i kanë dërguar apel të përbashkët Shkupit zyrtar që të pranon propozimin e fundit francez i cili do të mundëson hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Duke mirëpritur propozimin e kompromisit të përpiluar nga ana e shtetit francez, Blinken dhe Borell porositën në një deklaratë të përbashkët se vendimi sovran i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut do të jetë i rëndësishëm për të ecur përpara. Kjo frymë e kompromisit konstruktiv, mbi të cilin është ndërtuar integrimi evropian, porosisin ata, duhet të vazhdojë të frymëzojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces historik.
“Në këtë moment kritik të historisë evropiane, i shënuar nga agresioni i pajustifikueshëm i kryer nga Rusia kundër Ukrainës, avancimi i rrugës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE është çelësi për forcimin e kohezionit dhe qëndrueshmërisë së të gjithë kontinentit evropian. Të udhëhequr nga vlerat e përbashkëta dhe standardet e BE-së, të dy vendet janë gati të ndërmarrin hapin tjetër drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian porosisin se hapja e negociatave të anëtarësimit me Shkupin si dhe Tiranën mund të ndodhin praktikisht një ditë pasi që Maqedonia e Veriut të pranojë propozimin e kompromisit.
Përderisa Shqipëria nuk ka çështje të hapura me fqinjët dhe e ka gati të papenguar hapjen e procesit negociator, mbetet peng i Maqedonisë së Veriut dhe kontestit që ajo e ka me Bullgarinë, meqë këto dy shtete trajtohen në të njëjtën pako.
Në rast se Shkupi zyrtar refuzon propozimin e fundit, atëherë shtete anëtare të BE-së do shkojnë drejtë ndarjes së dosjeve në mënyrë që Tiranës zyrtare t’i mundësohet avancimi e të evitohet zvarritja e procesit për shkak të shtetit tjetër.























