VIDEO-Qasja në lokacionin arkeologjik të Guvës së Vlashnjes, e vështirë
BKT
Lajme

VIDEO-Qasja në lokacionin arkeologjik të Guvës së Vlashnjes, e vështirë

Myrvete Axhami/RTK

Guva parahistorike e Vlashnjes ruan piktura të veçanta të periudhës së Neolitit të hershëm, për të cilin studiuesit mendojnë se i përkasin kohës 6500 ose 2500 vjet para erës sonë. Ky lokacion është vështirë i qasshëm, ndonëse ka zgjuar kureshtjen e shumë turistëve vendorë e të huaj.

Gjurmët arkeologjike të lokalitetit të vjetër të Vlashnjes së Prizrenit, çojnë në periudhën parahistorike të jetesës në pjesën Jugore të Kosovës.

 Pikturat e një faltore të disa spiraleve dhe një kaproll, të zbuluara në vitin 2002 dhe të dokumentuara në vitin 2006 -2008 kur bëheshin gërmimet arkeologjike me karakter shpëtimi në lokalitetin arkeologjik të Vlashnjes, janë orientimi kryesor i studiuesve për këtë lokacion, thotë arkeologu Shafi Gashi.

“Spiralja është një paraqitje e artit dhe simbolizon kultin e diellit dhe ne mendojmë që mund të jetë e neolitit të hershem”, thotë Gashi.

Lokaliteti zgjon interesimin e turistëve të huaj, por edhe të rinjtë nuk hezitojnë ta vizitojnë këtë lokacion parahistorik.”Jam këtu në  vendin Guva e Vlashnjes. Po më pëlqen shumë , besoj se do të vij edhe me shoqëri për ta vizituar sërish herëve tjera”, tha Blinor Krasniqi.

Orientimi në këtë teren shkëmbor, është pothuajse i pamundur, pasi mungojnë sinjalistikat.

“ Ky është një ndër pikat e veçanta arkeologjike i artit shkëmbor të pikturua. Kohëve të fundit ka një dyndje të turistëve të cilët janë shumë të interesuar të vizitojnë lokalitetet ose trashëgiminë tonë , kështu që ne duhet të ofrojmë një sinjalistikë të veçantë ”, tha Gashi.

Faktori  natyrë ka bërë të veten, shumë nga këto spirale janë mbuluar nga ky formacion shkëmborë dhe duhet metoda specifike për ti pastruar thonë specialistët.


MË SHUME NGA Lajme