MSh: Situata është nën monitorim të vazhdueshëm
Muharrem Miftari/RTKlive
Pas shqetësimeve të ngritura nga deputetët e Komisionit për Shëndetësi lidhur me dyshimet për helmim të qytetarëve nga uji i pijes në Han të Elezit dhe Kaçanik, Ministria e Shëndetësisë ka reaguar përmes një deklarate, në të cilën njofton aktivitetin e kësaj ministrie dhe jo vetëm në sanimin e gjendjes atje.
Kështu, zëvendësministri i Shëndetësisë, dr. Arsim Berisha, bashkë me këshilltarin politik të ministrit Latifi, dr. Anton Shllaku, qëndruan sot në komunën e Hanit të Elezit për të trajtuar çështjen e dyshimeve për helmimin e qytetarëve nga uji i pijes në disa fshatra të kësaj komune.
Zëvendësministri Berisha u njoftua nga autoritetet lokale shëndetësore të Hanit të Elezit se nga fillimi i ankesave të qytetarëve deri në ora 12 të ditës së sotme, ekipet mjekësore kanë vizituar 195 pacientë, kurse pas orës 12:00, 5 pacientë.
Bëhet e ditur se MSh dhe SHSKUK kanë ndihmuar QKMF-në e Hanit të Elezit me furnizime me medikamente dhe materiale shpenzuese të nevojshme të kërkuara si nevoja emergjente.
Ekipet e IKSHPK-së ndërkaq, kanë marrë edhe sot mostra për analizë laboratorike të ujit pas dyshimeve për intoksikim të ujit.
Me qëllim të përballimit të situatës dhe ofrimit të shërbimeve për të gjithë qytetarët me ankesa, QKMF e Hanit të Elezit është mbështetur nga ekipet e Kujdesit Parësor Shëndetësor nga Komuna e Ferizajt dhe Komuna e Vitisë.
Agjensioni i Menaxhimit të Emergjencave në kuadër të MPB-së, përmes cisternave, ka siguruar ujë të pijes për banorët e zonave, ku qytetarët kanë pasur probleme shëndetësore, derisa IKSHPK të konfirmojë rezultatet e mostrave të marra për analizat e ujit.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka vizituar gjithashtu komunën e hanit të Elezit duke ju ofruar mbështetje autoriteteve lokale për menaxhimin e situatës.
Situata është nën monitorim të vazhdueshëm dhe MSH, së bashku me IKSHPK-në dhe dikasteret e tjera relevante si: MPB-AME dhe MAPL, janë në terren dhe në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet komunale për menaxhimin e situatës.























