Hapet edicioni i 21-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës
Emine Hoti/RTKlive
Universiteti i Prishtinës të martën hapi edicionin e 21-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, në të cilin marrin pjesë 350 studentë dhe profesorë.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se Universiteti Veror i kontribuon mobilitetit mes studentëve dhe profesorëve në afirmimin ndërkombëtar të Universitetit të Prishtinës, por edhe të Kosovës.
“Shpresoj që gjatë qëndrimit në Kosovë të vizitoni vendet më të bukura dhe këto përshtypje të mira t’i transmetoni në vendet tuaja dhe të na ndihmoni që lidhjet mes popujve dhe shteteve tona të përmirësohen”, tha ajo.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti tha se Universiteti Veror është një ndërë ngjarjet më të mëdha në fushën e këmbimeve akademike dhe kulturore .
“Kam kënaqësinë që t’ju mirëpres në Universitetin Veror të Prishtinës. Këtë vit po e organizojmë edicionin e 21-të, ku për dy javë studentët do të këmbejnë përvojat dhe do të krijojnë kujtime nga Kosova. Universiteti i Prishtinës do të sjellë 350 studentë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe 16 profesorë ndërkombëtarë “, tha Sahiti.
Ai tha se gjatë këtij edicioni studentët do të kenë mundësi t’i ndjekin kurset, por edhe të marrin pjesë në tri punëtori dhe ngjarje kulturore.
Zëvendësministri i arsimit, Dukagjin Pupovci tha se Qeveria është zotuar të përmirësojë cilësinë e arsimit në Kosovë. Ai përgëzoi UP-në dhe stafin e organizimit për edicionin e 21-të.
“Ky edicion po mbahet pas dy vitesh në prezencë fizike. Besoj që kjo do të jet një dinamikë tjerët nga ajo online dhe si e tillë ka një performancë tjetër “, tha ai.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Ai tha se kjo është një mundësi e mirë për studentët, pasi që ata mund të krijojnë përvoja të ndryshme.
“Ju mirëpres shumë ngrohtë në Prishtinë. Kryeqyteti është i njohur si qytet i përvojave të mëdha e të fshehta. Kemi shumë aspekte pozitive për jetën shoqërore, jemi të njohur për gastronominë. Për studentët është një mundësi që të kenë përvoja në qytete të ndryshme e që janë më përmbushëset që mund t’i ketë dikush”, tha ai.
Albulena Blakaj, Prorektore për bashkëpunime ndërkombëtare në UP, tha se në kuadër të planit, studentët do të vizitojnë Prekazin, Prizrenin, Pejën dhe vende të tjera me rëndësi në Kosovë.























