Rama në Bruksel: Kosova të pranohet në "Partneritetin për Paqe"
BKT
Lajme

Rama në Bruksel: Kosova të pranohet në "Partneritetin për Paqe"

Gjeraqina Tuhina/ RTK/ Bruksel

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kërkuar nga shtete anëtare të NATO-s që të konsiderojnë mundësinë e pranimit të Kosovës në Partneritet për Paqe.

Pas takimit q ë e ka zhvilluar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Edi Rama ka nënvizuar se është i vetëdijshëm për pengesat politike që ekzistojnë në procesin e pranimit të mundshëm të Kosovës në Partneritet për Paqe.

 “Unë e di se ka disa kufizime politike midis aleatëve, por është qëndrimi i imi se në kohërat në të cilat ne jetojmë, do ishte mençur të rishqyrtohet kjo çështje”, ka porositur kryeministri shqiptar.

Kosovën nuk e njohin si shtet katër shtete anëtare të NATO-s andaj edhe pranimi i vendit në cilëndo strukturë të aleancës kërkon unanimitet në mes të gjitha shteteve anëtare.

Vizita e kryeministrit Rama në selinë e NATO-s ka të bëjë me prezantimin e portit të ri ushtarak që do i shërbente aleancës. Kjo, sipas fjalëve të kryeministrit Rama, do jetë kontribut u vlefshëm për infrastrukturën e NATO-s.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka falënderuar Tiranën zyrtare për ratifikimin e shpejtë të protokollit të anëtarësimit për Suedinë dhe Finlandën, dy shtetet e radhës që do i bashkëngjiten aleancës së shpejti.

Nga ana e tij, Rama shprehu krenarinë se Shqipëria është në mes të shteteve të para që ka përfunduar procesin e ratifikimit.

Përderisa Stoltenberg falënderoi Shqipërinë për kontributin ne Ukrainë dhe stabilitetin e përgjithshëm ne territorin që e mbulon NATO, kryeministri Rama tërhoqi vërejtjen se aleanca duhet të jetë më e vëmendshme sa i përket Ballkanit Perëndimor. Në mes shtjerash ai nënvizoi se NATO ka obligim që të parandaloj çfarëdo përshkallëzimi të situatës në Ballkanin Perëndimor si dhe ndikimet e mundshme që mund të krijojnë probleme në rajon.

Kryeministri i Shqipërisë, përmendi konceptin e ri strategjik të NATO-s të miratuar në samitin e Madridit, ku nënvizohet rëndësia strategjike e Ballkanit Perëndimor. Edi Rama nënvizoi rëndësinë që të zhvillohet dialogu i përhershëm me shtete e rajonit, e në këtë rrafsh përmendi domosdoshmërinë që ky dialog të zhvillohet edhe me Serbinë e cila, siç u shpreh ai, “nuk është pjesë e aleancës sonë, por është ende pjesë e rajonit tone”.


MË SHUME NGA Lajme