VIDEO - Ndërpritet seanca e Kuvendit, shkak mungesa e kuorumit
BKT
Lajme

VIDEO - Ndërpritet seanca e Kuvendit, shkak mungesa e kuorumit

N.Mekolli /RTKlive

(E plotësuar) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndërpreu vazhdimin e seancës për shkak të mungesës së deputetëve në sallë.

Kryeparlamentari Konjufca ka thënë se do të lajmërojë deputetët për vazhdimin e seancës në një ditë tjetër.

Edhe pas fillimit të seancës së pasditës të Kuvendit, kryeparlamentari tha se mungon kuorumi për votimin e disa pikave. 

Në këtë seancë në rend dite ishte shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e Traktit mbi Ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë, si dhe, miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Kryetari i Kuvendit më herët kishte kërkuar një pauzë deri në orën 15:00, pasi tha se në rend të ditës është një pikë që ka të bëjë për marrëveshje ndërkombëtare dhe në sallë nuk ka numër të duhur të deputetëve për ta miratuar atë.

Edhe pse me kundërshtimin e opozitës, Kuvendi i Kosovës, në seancën e paradites, ka miratuar disa ligje si: Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Konjufca - deputetëve: S'ka pushime para 10 gushtit

KP

Për të vazhduar seancën plenare në Kuvendin e Kosovës janë kthyer nga pauza e drekës vetëm 61 deputetë, numër ky i pamjaftueshëm për të votuar marrëveshjen ndërkombëtare e cila është në rend dite.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka konfirmuar se në sallë janë të pranishëm vetëm 61 deputetë dhe nuk ka kuorum për të votuar marrëveshjen ndërkombëtare.

Ai ka thënë se seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e projektligjeve ndërsa marrëveshja ndërkombëtare të mbetet për një ditë tjetër.

“Po vazhdojmë me seancën, kemi mbet tek marrëveshja ndërkombëtare por kjo e kërkon një prani mjaft të lartë dhe 80 vota për të kaluar. Nuk ju lëshoj para 10 gushtit, ta dini , hiç. Virusi, vaksinohuni”, u ka thënë Konjufca deputetëve.

Në këtë seancë në rend dite janë shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktit mbi Ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane; shqyrtimi i dytë i Projektligjit për sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë dhe miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv rregullator dhe në ndërmarrje publike.

 

Hoti: Heqja e akcizës në naftë do të ulte çmimin

KP

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se është shqetësuese mungesa e masave nga ana e Qeverisë për situatën aktuale me rritjen e çmimeve.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Hoti ka thënë se propozimi i LDK-së për heqjen e akcizës përkohësisht në naftë dhe përgjysmimi i TVSh-së do të ofronte për qytetarët çmimin e naftës rreth 1.30 euro.

Deputeti i LDK-së ka thënë se e vetmja masë e ndërmarrë nga Qeveria është caktimi i çmimit maksimal të naftës.

 “Propozimi ynë që heqja e akcizës përkohësisht në naftë dhe ndoshta përgjysmimi i TVSH-së do të kishte funksionuar perfekt me këtë masë të caktimit të çmimit maksimal dhe sot çmimi i naftës ndoshta do ta kishim, pa akcizë dhe me përgjysmë TVSH, me rreth 1.25 ose 1.30 euro për litër të naftës”, ka thënë Hoti.

Kuvendi miraton në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore

Edhe pse me kundërshtimin e opozitës, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca ka abstenuar sërish.

Projektligji i ka marrë 58 vota për dhe tre abstenime.

Gashi: Të mos votohet projektligji për Byronë derisa të keni një konkluzion për vetingun

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se vetingu dhe Byroja Shtetërore duhet të jenë të koordinuara me njëra tjetrën.

“Meqenëse po flasim për rregullim sektorial, vetingu dhe agjencia apo Byroja Shtetërore e hetimit, të jenë në një kornizë që të jenë të koordinuara me njëra tjetrën për ndryshe nëse shkojnë në dy komisione të ndryshme, në dy procedura të ndryshme ekziston përshtypja që mund të mos jenë të harmonizuar dhe të kemi probleme pastaj me zbatimin e tyre. Pra propozimi im është që derisa të ketë një konkluzion për nismën tuaj për koordinim lidhur me procesin e vetingut të mos votohet as ky projektligj, besoj që pajtimi ishte të kemi një konkluzion për nismën tuaj para se të shkojmë në pushime verore, që i bie në dy javët e ardhshme ne të kemi një konkluzion”, ka thënë Gashi.

Edhe shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se çështjet e rëndësishme duhet të hyjnë në një pako për reformën në drejtësi.

Tahiri: Çështjet e rëndësishme të reformës në drejtësi të hynë në pako

“Mirë është hyjmë në një pako të reformës në drejtësi me disa çështje të rëndësishme, qoftë rikonstruktimin e prokurorisë, qoftë ndërtimin e një byroje të konfiskimit, qoftë në veting, dhe pak a shumë t’i shohim disa modele të cilat do ta fuqizojnë, mos të shkojmë ta sfidojmë njëri tjetrin një projektligj në Gjykatë Kushtetuese në një agjendë të ecim më tutje, të kundërshtojmë prandaj konsensusin në reformën në drejtësi e shoh jashtëzakonisht të rëndësishëm”, ka thënë ai.

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se çështje të tilla të rëndësishme nuk mund të shtyhen me agjendë të një partie.

Por, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se vetingu nuk ka të bëjë me procesin tjetër është Byroja Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Nuk mbaj mend që ka pasur debat në Kuvend më shumë sesa për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Pra e kemi diskutuar edhe para opinionit të Venecias dhe pas opinionit të Venecias, për çka si qeveri e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë. Qëndrimi i qeverisë është, nisja e takimeve me grupet parlamentare për çështjen e konsensusit për çështjen e vetingut në sistemin e drejtësisë, dhe kjo nuk ka të bëjë asgjë me procesin tjetër”, ka thënë ajo.

Pas kësaj ka reaguar shefi i deputetëve të LDK-së i cili ka thënë se nuk është e arsyeshme të vazhdojnë konsultimet.

Gashi: Qeveria nuk po do bashkëpunim

“Nënkupton që qeveria nuk do të bashkëpunim për këto çështje dhe, faleminderit për ftesën dje për bashkëpunim por e konsideroj të paarsyeshme me na thirre më edhe në takime”, ka thënë Gashi.

Para hedhjes në votim, ka folur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, sipas së cilit vërejtjet e tyre janë për të mbrojtur rendin kushtetues.

Abdixhiku: Vërejtjet tona janë për të mbrojtur rendin kushtetues

“Nëse kryeministri vendos ta hedh në votim në rregull të jetë kështu. Vazhdoni pa ne, vazhdoni pa konsultime. Prandaj do të ndjekim rrugën tonë institucionale ku duhet. Për të hequr çdo dyshim i përsëris fjalët e diskutimet e para, jam vullnetar unë dhe grupi parlamentar në verifikimin pasurisë, vërejtet janë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të bërë reformën njëmend. Nëse kryeministri vendos të shkojë pa konsultim siç e dha urdhrin tani teksa unë flisja këtu, atëherë vazhdoni rruga e mbarë ju qoftë”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Me votimin në parim të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ka përfunduar seanca me pikat e mbetur nga seancat e kaluara.

Deputetët e shumicës kanë miratuar në lexim të dytë projekt-kodin e procedurës penale.

Kuvendi ka miratuar në lexim të dytë edhe projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, projektligjin për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe projektligjin për Shërbimin Sprovues të Kosovës.

Kurti:Jam i gatshëm t’i vazhdoj konsultimet me krerët e subjekteve politike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se duhet të bëhet ndarja mes Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe procesit të vetingut.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës ku në rend dite është votimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore, Kurti ka thënë se është gabim shtyrja e krijimit të saj.

Ndërsa për vetingun, kryeministri ka thënë se është i gatshëm t’i vazhdojë takimet për konsultime me krerët e partive politike në vend.

“Është e domosdoshëm të kemi sa më shumë konsultime edhe si subjekte politike. Përveç kësaj, duhet ta bëjmë ndarjen e qartë të gjërave që nuk janë të njëjta. Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe vetingu në sistemin e drejtësisë nuk janë e njëjta gjë. I vetmi efekt është që të shtyhet Byroja Shtetërore dhe ky është gabim, pra vetingu në drejtësi dhe byroja shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin ka të bëjë me gjithë zyrtarët shtetëror e tjetra vetëm me sistemin e drejtësisë. Për sistemin e drejtësisë ku duhet të ketë veting jemi dakorduar dhe unë jam i gatshëm t’i vazhdojmë edhe më dendur takimet me krerët e subjekteve politike”, ka thënë Kurti.

 

LIVE - Kuvendi miraton projektligjin për deklarimin e pasurisë

N.Mekolli /RTKlive

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar raportin vjetor financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021 si dhe Projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.

Deputetët gjithashtu kanë votuar për raportin vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, i cili gjithashtu është miratuar më 61 vota për. Në votim kanë marrë pjesë vetëm deputetët e shumicës. 

Kuvendi vazhdon punimet me seancën e re plenare ku në rend dite është edhe miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Nis seanca e Kuvendit

N.Mekolli /RTKlive

Ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës, në rend dite janë pikat e papërfunduara të seancave paraprake, të mbajtur më 16, 22, 23 qershor, 30 qershor, 1 dhe 6 korrik 2022, pritet që sot të mbahet edhe një seancë të re.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se në seancë po marrin pjesë 82 deputetë.

Për shkak të mungesës së deputetëve dështoi votimi për miratimin e Raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, kryeparlamentari tha se pret që të arrihet numri i mjaftueshëm i deputetëve, për ta hedhur në votim këtë Raport.

Pas dhjetëra minutave pritje raporti u miratuan: Raporti vjetor financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, me 61 vota për, si edhe Raporti vjetor i Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, i cili poashtu kaloi me 61 vota për.

Debati po vazhdon me pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 30 qershor, 1 dhe 6 korrik 2022 dhe votimin e Raporteve që janë diskutuara në këto seanca. 

Kuvendi sot shqyrton projektligjin e byrosë për konfiskimin e pasurisë

A.Bela / RTKlive

Sot Kuvendi i Kosovës do t’i vazhdojë punimet e seancës plenare dhe do të mbajë një seancë të re.

Në rend dite janë pikat e pa përfunduara të tri seancave të kaluara, kurse në seancën e re është paraparë të shqyrtohen dy projektligje dhe të miratohet Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë.

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 16, 22, 23 qershor,  1 dhe 6  korrik 2022, janë shqyrtimi i Raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021 dhe shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021.

Kurse pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 30 qershor,  1 dhe 6 korrik 2022 janë votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Deklarimin Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave dhe votimi i Raportit vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për vitin 2021, raporton RTKlive.

Ndërsa pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 7 korrik 2022, janë votimi në lexim të dytë i Projekt-kodit të Procedurës Penale, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Shërbimin Sprovues të Kosovës dhe votimi në parim i Projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Kurse në seancën e re plenare, do të ketë deklarime jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, pastaj shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktit mbi Ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Sistemin e menaxhimit të performancës së komunave  dhe skemën e grantit të bazuar në performancë dhe miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv rregullator dhe në ndërmarrje publike.


MË SHUME NGA Lajme