VIDEO-Mosmenaxhimi i ‘Bifurkacionit’
BKT
Lajme

VIDEO-Mosmenaxhimi i ‘Bifurkacionit’

Venera Adili/RTK

Qytetarët e Hanit të Elezit, tash e mbi 20 vjet, nuk paguajnë konsumin e ujit, krejt kjo pasi komuna dhe KRU "Bifurkacioni" nuk po mund të merren vesh.

Kjo e fundit kërkon investimin e komunës në infrastrukturë, e komuna thotë se s'kanë mjete.

Ndërkohë, helmimet kanë ardhur si pasojë e këtij mosmenaxhimi, me ç`rast IKSHKP ka thënë se janë gjetur baktere të gjalla jashtë normave të lejuara.

Papërgjegjësia institucionale i faturohet qytetarëve. Mungesa e një marrëveshjeje mes komunës së Hanit të Elezit dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni”, në Ferizaj, ka pasuar me helmimin e qindra banorëve, të cilët furnizohen me ujë nga rezervarët e pamenaxhuar.

Zyrtarë të Hanit të Elezit nuk po arrijnë të plotësojnë kushtet që i kërkon KRU “Bifurkacioni” për të kaluar rezervarët nën menaxhimin e tyre për shkak se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të bërë investimet e nevojshme, për çka kërkon mbështetjen e qeverisë.

“Ne nuk kemi kapital të bëjmë këto investime që i kërkon KRU-ja prandaj një pjesë e qytetit furnizohet nga rezervarët që vet i kanë rregulluar”, tha Sevdi Dernjani, nënkryetar i Komunës.

Ndërsa kryeshefi i KRU “Bifurkacioni”, Jeton Shabani, thotë se nuk mund të marrin nën menaxhim pa u kryer investimet e nevojshme.

 “Më shumë se 50 % të qytetit ne nuk e menaxhojmë sepse presim që komuna dhe ministritë e linjës të bëjnë investimet”, tha Shabani, kryeshefi i KRU-së “Bifurkacioni”.

Pas situatës së krijuar, komuna e Hanit të Elezit ka nisur investimet që konsiderohen urgjente për të mundësuar së paku dezinfektimin e ujit.

RTK ka kërkuar përgjigje edhe në ministrinë e ekonomisë, për çështjen e ngritur, por përgjigje nuk ka.


MË SHUME NGA Lajme