VIDEO-Në Galicë të Vushtrrisë u shënua 98-vjetori i Betejës së Galicës
Valjete Shala/RTK
15 korriku i këtij viti shënon 98-vjetorin e rënies heroike të Azem Bejtë Galicës. Asnjë aktivitet nuk u organizua nga niveli qendror, por as ai nga ai komunal.
Heroin e kombit e kujtoi kryetari i PDK-së,Memli Krasniqi, si dhe kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, të cilët vendosën kurora lulesh. Aty u tha se do të angazhohen që kulla e Azemit të jetë nën mbrojtje, por, përveç kësaj, ai tha se do të bëjnë kërkesë për kthimin e eshtrave të Shotës, nga Shqipëria në Galicë.
Në përvjetorin e betejës së Galicës, Enver Galica ishte i vetmi i cili vizitoi varrin e Azem Galicës në paraditen e sotme. Ai tha se kjo është mjaftë e dhimbshme se nuk u organizua asnjë aktivitet për të shënuar këtë datë. Ai shprehu pakënaqësi ndaj organeve shtetërore për moskujdesin e tyre ndaj objekteve që shenjojnë jetën veprimtarinë e kryetrimit Azem Galica.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, deklaroi se në përvjetorin e 100-të të tij, do të kërkojë që eshtrat e Shotë Galicës të kthehen në Kosovë.
“Për 100 vjetorin e rënies së tij, kemi planifikuar një konferencë shkencore dhe manifestim për luften heroike të Azem Galicës dhe Lëvizjes Kaçake. Deri në atë kohë do të bëjmë përpjekje që përmes Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës së Shqipërisë të kthehen eshtrat e Shote Galicës në Kosovë”, tha kryetari Idrizi.
Ndërkaq kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në rrjetin social Facebook, ka përkujtuar 98-vjetorin e rënies së heroit të popullit, Azem Galica.
Ai, duke kujtuar me nderim këtë atdhetar të shquar, mes tjerash, shkroi se në këtë ditë, para 98 vitesh, zemra e Azem Galicës pushoi së rrahuri, i cili ishte pjesë aktive e rezistencës kundër një perandorie që po shuhej dhe që u bë personaliteti qendror i epokës së rezistencës së parë kundër Mbretërisë së Jugosllavisë.























