S’ka kuorum për rezolutën e VV-së mbi rritjen e çmimeve
/KP/
(E plotësuar, 20:19) Në mungesë të kuorumit nuk është hedhur në votim rezoluta për adresimin e rritjes së çmimeve.
Në sallë plenare në momentin e votimit ishin vetëm 57 deputetë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se për vazhdimin e seancës së sotme plenare do të njoftojë ditët në vijim.
Murati: Ka abuzime me produktet bazë
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se ka abuzime të shumta me produktet bazë në Kosovë.
Ai në Kuvendin e Kosovës, tha se përmes ligjit për mbrojtjen e furnizimit të produkteve themelore do të lehtësohet jeta e qytetarëve.
“Ka abuzime produktet bazë. Qytetarët duhet të kuptojnë se ky ligj është i domosdoshëm, për faktin e vetëm se rezultatin është parë me çmimet e naftës dhe benzinës. Tani ka një kontroll, ka një marzhë fitimi për kompanitë, megjithatë po funksionon. Do të funksionojë edhe për produktet e tjera bazë, efekti i vetëm i saj do të jetë që jeta për qytetarët do të jetë më e lehtë”, tha ai.
Mirëpo, atij i reagoi shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili i kërkoi ta lexojë Kushtetutën, për siç tha, të shohë budallaçkat që i bën në vazhdimësi.
“Kushtetuta e Kosovës, përveç nenit 10 e ka një kapitull të veçantë që është kapitulli 9, rregullon marrëdhëniet ekonomike në Kosovë. Meqenëse ministri nuk e dinë këtë punë po ia tregoj, lexo nenin nëntë dhe i sheh aty të gjitha budallaçkat që i bën ti në vazhdimësi”, tha ai.
Ministrja Hajdari: Ka produkte që kanë marzhën e fitimit 42 për qind
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka arsyetuar nevojën e hartimit të një ligji për mbrojtjen e furnizimit të produkteve themelore, për shkak të abuzimeve në treg.
Në seancën e sotme plenare, ministrja Hajdari paraqiti marzhat e fitimit për disa nga produktet në shitjet me pakicë, teksa kritikoi ish-pushtetet e kaluara se nuk kanë punuar për rregullimin e politikave fiskale.
“Ne kemi kalkuluar çmimet e blerjes, çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë, marzha tregtare për këta artikuj që janë në disa tabela të paraqitura. Kemi çmimet, të cilat shkojnë në marzhën deri 42 për qind për vezët, a është kjo antikushtetuese, a duhet të lejohet që qytetari ynë të blej vezët në marzhën tregtare 42 për qind. Pastaj kemi pastat nga gruri i fortë me 27.73 për qind, sheqerin e kristal me 16.52 për qind, 24 për qind detergjentin, pecetat higjienike 23 për qind. Nëse shkojmë te çmimi i bukës. Buka sot kushton 60 centë. 50 centë, 45 centë. Nëse shikojmë marzhën tregtare, në çmimin e bukës 500 gramë është 45 centë marzha tregtare për bukën 500 gramë. Pastaj për bukën me 400 gramë është 45 për qind marzha tregtare e shitjes për bukën. Pastaj, nëse shikojmë te pastat nga gruri i fortë është 18.30 për qind. Kemi edhe më lirë, 13.5 për qind dhe më shtrenjtë 19 për qind. Pra, gjitha marzhat që janë përmendur kanë qenë mesatarja te shitësit me pakicë. Te shitësit me shumicë kemi marzhat kryesisht për grurin 0.32 euro për kilogram, për miellin 0.55 euro për kilogram, për orizin, 0.80 euro për kilogram, pra nuk është problemin te shitësit me shumicë, por tek ata me pakicë”, tha ajo.
Ministres, i reagoi deputeti, njëherësh kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Faleminderit ministre që Mimoza, Hykmetja nuk kanë bërë asgjë që 10 vjet. A po dëgjon Mimozë? Qysh tash ti pas dhjetë vjetësh u bërë e mençme dhe t’i tregosh kësaj se çfarë të bëjë?! Qysh tash kjo po di të të mësojë.... Ju sapo i shpallët hajna, ose me këtë termin abuzues përmbi 30 mijë biznese në Kosovë. Marketet e vogla dhe të mesme në lagje, fshatra dhe çdo vende të Kosovës se ata janë shitësit me pakicë. Ju thatë ata janë abuzues, ata janë duke shkaktuar inflacionin, jo bizneset e mëdha sipas diskursit tuaj”, tha ai.
Tahiri: Rezoluta për rritjen e çmimeve shpërfaq pazotësinë e Qeverisë Kurti
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se rezoluta e LVV-së për rritjen e çmimeve tregon për paaftësinë e ministrave të Qeverisë Kurti.
E njëjta, sipas tij, shfaq edhe mungesën e guximit për të marrë vendime të rëndësishme për qytetarët.
“Kjo rezolutë e shpërfaq, të nderuar deputetë, ju që i keni votuar, pazotësinë e tyre, mungesën e guximit për të marrë vendime në dikastere që udhëheqin. Mungesën e vizionit për të sjellë ligje, të cilat do të lehtësonin punën e tyre dhe mbi të gjitha zbatimin e një pako ekonomike që ka ardhur këtu për të ndihmuar Kosovën. Sot përmes kësaj rezolute po shpërfaqet pazotësia totale e njerëzve që i keni votuar”, tha ai në seancën e sotme të Kuvendit, ky po shqyrtohet rezoluta e LVV-së për adresimin e rritjes së çmimeve.
Hykmete Bajrami: Rezoluta e VV-së është e panevojshme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka quajtur të panevojshme miratimin e rezolutës së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet për adresimin e rritjes së çmimeve.
Në seancën e sotme të Kuvendit, deputetja opozitare tha se Qeveria Kurti duhet të veprojë për t’u ballafaquar me krizën ekonomike dhe jo të presë rezoluta prej Kuvendit për të njëjtën.
“Kjo politikë e padëgjuar deri më tani, sa i përket rezolutës prej kah ky model. Shumica në Parlament bën rezolutë për qeverinë e 51 përqindëshit. Pse s’po vepron qeveria, pse ju duhet kjo rezolutë?! Nëse keni ardhur se ka abuzues në treg, pse po pret qeveria rezolutë prej Kuvendit që ta kryejë punën e vet? A e dini çka i bie kjo? Hajde të bëhemi kinse po punojmë diçka”, tha ajo.
Sipas saj edhe ideja për hartimin e një projektligji për të luftuar inflacionin është antikushtetuese.
“Kjo çka ju po bëni është antikushtetuese, është në kundërshtim me rregullimin kushtetues tonin. Neni 10, i cili thotë se ne jemi ekonomi e tregut të lirë. E dyta, të gjitha bizneset i kanë kostot e ndryshme, është vështirë të gjenden dy biznese në Kosovë që i kanë koston e njëjta. E treta, ju nuk mund të kontrolloni 32 biznese. Le të supozojmë nëse i kontrolloni, a dini çka bëni ju me këto politika? I falimentoni bizneset e vogla, ndërkohë i favorizoni rrjetet tregtare të mëdha”, tha ajo.
Krasniqi: Qeveria Kurti ka numrat, por s’ka dije e karakter
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka adresuar një sërë akuzash ndaj Qeverisë Kurti.
Në seancën e Kuvendit, ai ka thënë se miratimi i rezolutës për çmimet e rritura nuk është i duhur dhe as i ligjshëm.
Krasniqi, tha se kjo qeveri numrat i ka, por dije, guxim dhe karakter jo.
Ai e akuzoi edhe kryeministrin Kurti se po fshihet prapa Kuvendit për vendimmarrje.
“Me këtë rezolutë edhe pse militanti i LVV-së nuk mund t’i besoj, nënkupton që Mimoza po e mëson Albinin çfarë të bëjë. Në prapavijë me këtë rezolutë, Albin Kurti po fshihet pas Mimoza Kusarit, sepse e dinë se qëllimi i rezolutës nuk është i drejtë, ligjshëm dhe i duhur. Prandaj i duhet një lloj për të kamufluar këtë taktikë. Një qeveri e tillë numrat i ka, por karakter jo. As dije dhe as vetëdije. As guxim dhe as veprim”, tha ai.
Krasniqi tha se Qeveria Kurti po e rrezikon lirinë ekonomike në Kosovë.
“Qeveria po e thellon edhe më tej shtrirjen e krizës ekonomike që sot ka mbërritur në secilën familje, para se gjithash përmes inflacionit dhe nëse nuk veprohet, nesër do të shkohet në prishjen e ekuilibrit ekonomik të secilin vend. Ekonomia e Kosovës është në gjendjen më të rëndë në këto 23 vjetët e fundit që jetojmë të lirë”, theksoi ai.
VV prezanton rezolutën për rritjen e çmimeve: Duhet të mbrohen qytetarët
Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se qytetarët duhet të mbrohen nga ndikimi i inflacionit dhe kriza ekonomike.
Në seancën e sotme të Kuvendit, Kusari-Lila, duke prezantuar rezolutën për adresimin e rritjes së çmimeve, tha se përmes saj dhe hartimit të ligjit për mbrojtjen e furnizimit të produkteve themelore, s’do të ketë fitime të mëdha për një grup të vogël të bizneseve.
Ajo tha se ekonomia e Kosovës nuk ka arritur të forcojë bazën e prodhimit vendor dhe për shkak të importit të madh, qytetarët po përballen me inflacion të lartë.
“Ofron mundësinë e vendosjes së rrjetës mbrojtëse në situatat kur hapësira për të abuzuar me pozitat dominuese ndjeshëm rritët, bashkë me probalitetin e ndikimit negativ te një numër i madh i qytetarëve, të cilët shkallën e lëndueshmërisë e kanë më të lartë. Ajo çfarë ne po propozojmë është dhënia e mundësisë së vlerësimit real të shpenzimeve dhe çmimeve të produkteve të importuara dhe atyre të prodhuara në vend. Duke i njohur prodhuesve dhe importuesve shpenzime dhe fitimin, por duke siguruar se në asnjë mënyrë nuk do të krijohen hapësira për një pozitë dominuese apo abuzuese, që sjellin fitime të mëdha për një grup të vogël të bizneseve. Në situatën e krizës së inflacionit, e cila nuk ka kursyer as ekonomitë të mëdha, dizajnimi i pakos për mbrojtjen e qytetarëve nga ndikimi i lartë do të varet nga specifikat e ekonomisë së vendit”, tha Kusari-Lila.
Ajo tha se ulja e TVSH-së në disa sektorë nuk përcillet me uljen e çmimeve te konsumatorët, por vetëm fitim më të madh të bizneseve.
“Me praktikën e mëhershme se ulja e TVSH-së në një sektor nuk përcillet me uljen e çmimit për konsumatorët, por rritjen e fitimit për bizneset, është i domosdoshëm mekanizmi i cili parandalon abuzimin me faktorët e lartpërmendur. Për një kohë të caktuar mban një masë në treg, e cila siguron që qytetarët nuk do të mbesin tërësisht mangësive të ekonomisë sonë”, përfundoi ajo.
Ndryshe, rritja e çmimeve për produktet bazike ushqimore në Kosovë nga maji i vitit të kaluar është rritur 12.5 për qind, sipas Agjencisë së Statistikave. ASK-ja thekson se Indeksi i Harmonizuar për Çmimet e Konsumit për muajin maj 2022 është rritur 0.9 për qind.
Sipas raportit “Indeksi i Harmonizuar Çmimeve të Konsumit, maj 2022”, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te karburantet me 5.5 për qind, ndjekur nga pemët me 5.4 për qind dhe vajrat e yndyrat ushqimore me 5.2 për qind.
Kuvendi miraton Projektligjin për regjistrimin e popullsisë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Projektligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.
Përkrahje këtij Projektligji i dhanë edhe deputetët opozitarë.
Pas rikthimit nga pauza, Kuvendi po vazhdon punimet, në rend të ditës është edhe debati parlamentar për mos liberalizimin e vizave.
Kuvendi i jep dritën e gjelbër hekurudhës Prishtinë-Durrës
Blerim Halimi / RTKlive
Me 83 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin për Marrëveshjen për financimin e studimit të fizibilitetit dhe projekt idesë për linjën hekurudhore Prishtinë-Durrës.
Studimi i fizibilitetit të hekurudhës me Shqipërinë është futur si pikë e rendit të ditës përmes një mocioni procedural të propozuar nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe të miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Në prezantimin e nismës për Projektligjin për Marrëveshjen për financimin e studimit të fizibilitetit dhe projekt idesë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Luburn Aliu, ka thënë se ky projekt do të kushtojë 1 milion e 980 mijë euro. Ai ka bërë të ditur se 51 për qind të këtyre mjeteve do t’i ofrojë Shqipëria, kurse 49 për qind do t’i ndajë Qeveria e Kosovës. Duke folur për rëndësinë e këtij projekti, ministri Aliu ka thënë se ndërtimi i kësaj hekurudhe hap mundësi edhe për projekte tjera për qarkullimin e mallrave nga porti i Durrësit për të gjithë rajonin.
Votohet Projektligji për Produktet Biocide
( E plotësuar, ora 13:29), Kuvendi I Kosovës, me 68 vota ka votuar Projektligjin për Produktet Biocide së bashku për amendamentet.
Votohet projektligji për Ushqimin
( E plotësuar, ora 13:35), Kuvendi i Kosovës, me 66 ka votuar Projektligjin për Ushqimin.
Kurti: Ndihma më e madhe do të koncentrohet te rastet e skemës sociale
(E plotësuar, 12:10) Kryeministri Albin Kurti tha se po përgatisin një masë për t’u dalë në ndihmë një shtrese të konsumatorëve shtëpiakë. Ai tha se do të ndihmohen këta konsumatorë. Kryeministri Albin Kurti tha se po përgatisin një masë për t’u dalë në ndihmë një shtrese të konsumatorëve shtëpiakë. Duke folur në Kuvend për situatën energjetike dhe parlajmërimin për një krizë të re, Kurti tha se përmes subvencionimit të disa konsumatorëve, synojnë ta ulin shpenzimin e energjisë elektrike. Ai nuk iu përgjigj pyetjes së deputetes Hykmete Bajrami nëse do të ketë sërish shtrenjtim të rrymës.
“Ministria është duke e përgatitur edhe një masë për efiçiencë të energjisë për konsumatorët shtëpiakë. Përmes subvencioneve, do të ndihmohen konsumatorët që të ulin shpenzimet e enrgjisë elektrike. Ndihma më e madhe do të koncentrohet te rastet e skemës sociale dhe te rastet që janë në nevojë, por s’janë të përfshirë në skemën sociale”, tha ai. Kryeministri Kurti tha se aktualisht, në termocentralin “Kosova B” janë në remont kapacitetet gjeneruese. Ai tha se kështu po përgatiten për sezonën e dimrit.
Sipas tij kapacitetet gjeneruese të termocentraleve gjatë sezonës së verës janë në remont të rregullt, ndërsa njëri bllok i Kosovës B është në remont të rregullt dhe pritet të përfundojë gjatë këtij muaji, kurse blloku tjetër i Kosovës B do të hyjë në remont gjatë muajit gusht dhe do të zgjasë rreth 25 ditë.
Bajrami: Një ngritje tjetër e çmimit të rrymës i gjunjëzon qytetarët
(E plotësuar, 11:50) Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se me paralajmërimin e djeshëm të KESCO-s për një shqyrtim tjetër të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, po fillon edhe një cikël tjetër i ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.
“Zëdhënësi i KESCO-s dje ka konfirmuar për media se e kanë paraqitur kërkesën, pasi sipas tij Qeveria nuk e e ka zbatuar suvencionimin prej 100 milionë euro për sektorin dhe gjithashtu ka ngritje të çmimit të energjisë së importuar. Ne, në vjeshtë ndoshta prapë do të përballemi me një krizë, por nuk e kemi pritur se në korrik të përballemi me një gjë të tillë”, ka theksuar Bajrami, në deklarimet jashtë rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit.
Ajo ka pyetur kryeministrin Kurti se ku është problemi i moszbatimit të subvencionimit, a është lënda në gjykatë apo diskriminimi që u është bërë shtresave të ndryshme të qytetarëve me atë vendim. Bajrami ka thënë se një rritje tjetër e çmimit të energjisë do të ishte e papërballueshme.
“Qytetarët po përballen me ngritje të çmimeve me 14 përqind. Edhe një ngritje tjetër e faturës energjetike do t’i gjunjëzonte qytetarët dhe bizneset. Sepse nëse ju nuk arrini ta zbatoni subvencionimin prej 100 milionë euro, atëherë kjo nënkupton se ngritja tjetër do t’i prekë edhe bizneset, për të cilët ju prej muajit shkurt jeni krenuar se keni marrë vendim t’i subvenciononi dhe t’ia ruani koston atyre”, ka theksuar deputetja e LDK-së.
Një çështje tjetër që e ka ngritur ajo kanë qenë shifrat e të infektuarve me Covid-19. Bajrami ka kërkuar të dijë se cilat janë veprimet konkrete të qeverisë, derisa ka thënë se pret që Qeveria të ndajë buxhet për t’i dalë në ndihmë qytetarëve për t’ia ulur koston e shpenzimeve me blerjen e barnave.
Tahiri: Qeveria nuk po ndërmerr asnjë veprim për krizën energjetike që po vjen
KP
(E plotësuar, ora 11:45) Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë që Qeveria po tregon neglizhencë në raport me trajtimin e krizës energjetike që sipas tij po i afrohet Kosovës.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ai ka thënë se në takimet që i kanë pasur me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, KEDS-in dhe KESCO-n, mësohet se vendit po i afrohet një krizë e papërballueshme.
“Kërkojmë nga Qeveria që urgjentisht ta trajtojë temën e furnizimit me energji elektrike, kërkojmë nga ju që të trajtoni procesin e kontraktimit të kontratave afatgjate, kërkojmë nga ju që të riktheni menjëherë nesër taskforcën që merret me krizën që po na vjen. Informacionet që i kemi drejtpërdrejt nga ZRrE, nga KEDS, thonë që kriza do të jetë e papërballueshme, se vendet e Bashkimit Evropian, si Gjermania, si Zvicra vetëm se i kanë lajmëruar qytetarët për t’u ballafaquar me këtë krizë. Çka bën Qeveria e Kosovës, nuk bën asnjë veprim, pra ka një pazotësi klasike me u marrë në mënyrë proaktive me çështjet që do të na vijnë”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka thënë se Qeveria ende nuk i ka transferuar mjetet të cilat i ka zotuar për subvencionimin ne energjisë elektrike dhe sipas tij, si rrjedhojë e kësaj ka ardhur deri të një kërkesë për tarifa të jashtëzakonshme.
Abazi: BE t’i jap prioritet proceseve integruese të Kosovës
(E plotësuar, ora 11:35) Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, në emër të subjektit të tij ka shprehur urimet e përzemërta për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut rreth hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.
Ai ka thënë se ky është një moment historik për rajonin dhe me këtë po konfirmohet se zgjerimi i BE-së si proces është i gjallë, pavarësisht skepticizmit të shprehur kohët e fundit pas agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.
“Është një fitore e madhe në proces, e për ne është një sinjal se vendimet e vendeve individuale sa i përket liberalizimit të vizave po ju pakësohet edhe më shumë hapësira për të qëndruar ashtu siç kanë qenë, andaj ne presim që edhe ne të gëzojmë atë që e meritojmë, pra qytetarët tanë ta marrin liberalizimin e vizave”, ka theksuar Abazi.
Ai tutje ka thënë se duhet t’u bëhet kërkesë shteteve anëtare të QUINT-it që të dënohen deklaratat e Radojqiqit nga Veriu i Kosovës. “Këto deklarata nuk i kontribuojnë as stabilitetit e as sigurisë së vendit”, ka thënë ai.
Abazi ka folur edhe rreth vazhdimit të mandatit të emisarit të BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, ku ka thënë se kjo duhet të bëhet me rishikimin që të mos kemi humbje kohe dhe dështim në proces, ku Kosova sipas tij në një farë forme shihet në dritën e një procesi të vetëm.
“Dialogu është i mirëseardhur me të gjitha vendet fqinje por procesi integrues i Kosovës është po aq i rëndësishëm dhe duhet t’i jepet prioritet nga BE dhe qendrat e vendosjes”, ka shtuar Abazi.
Kuvendi ndan mbi 23 mijë euro për Komisionin Hetimor për energjinë elektrike
(E plotësuar, ora 11:20) Kuvendi i Kosovës ka ndarë mbi 23 mijë euro për Komisonin Hetimor për sektorin e energjisë elektrike nga viti 2006 deri më 2022.
Kuvendi me 87 vota për ka miratuar buxhetin në vlerë prej 23 mijë e 720 eurosh për këtë Komision, i cili është formuar para disa muajve për të hetuar punën e deri tanishme në sektorin e energjisë.
Miratohet Projektligji për menaxhimin e performancës së komunave
(E plotësuar, ora 11:10) – Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Projektligjin për Sistemin e Menaxhimit të Performancës së Komunave dhe Skemën e Grantit të Bazuar në Performancë.
Pro këtij projektligji votuan 64 deputetë, derisa nuk kishte asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Paraprakisht u votuan amandamentet e këtij projektligji, ku nuk kaloi vetëm amandamenti 15, e që u bë shkas që grupi parlamentar i PDK-së të mos marrë pjesë në votimin e këtij projektligji.
Ratifikohet traktati mes Kosovës dhe Zvicrës për ndihmë juridike
Afet Bela / RTKlive
(E plotësuar, ora 10:40) Me 83 vota dhe asnjë kundër Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Traktatit mbi Ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane.
Fillon seanca e Kuvendit të Kosovës
(E plotësuar, 10:30) Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën, ku në rend dite janë disa pika.
Kuvendi sot debaton për mos liberalizimin e vizave nga BE për Kosovën (ora 06:33)
Sot Kuvendi i Kosovës me fillim në ora 10:00, do të vazhdojë seancën plenare, ku në rend ditë janë tri pika.
Pika e parë do të jetë shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktatit mbi Ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë si dhe miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv rregullator dhe në ndërmarrje publike, raporton RTKlive.
Kurse nga ora 11:00, mbahet seancë e re plenare, ku në rend dite janë 13 pika në rend dite. Do të fillohet si zakonisht me deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, shqyrtimin e dytë ë Projektligjit për Produktet Biocide, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ushqimin, propozimi për zëvendësimin e anëtarit në komision parlamentar, shqyrtimi i Propozim-rezolutës për adresimin e rritjes së çmimeve, shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sh.a. për vitin 2021, shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 12/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës, shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 13/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”, ratifikimi i anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit dhe debatin parlamentar në lidhje me mos liberalizimin e vizave nga BE-ja për Kosovën.























