Xhaferi: Në mes të shtatorit parashikohet të fillojë ndërtimi i rrugës `A`
Afet Bela / RTKlive
Krenar Xhaferi, Drejtor i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës tha se në mes të shtatorit parashikohet të fillojë ndërtimi i rrugës "A".
“Ky projekt është me rëndësi për Prishtinë dhe qytetarët e Prishtinës. Qytetarët e Prishtinës janë duke e pritur këtë rrugë që të ndërtohet dhe do të jetë një arterie e rëndësishme për të gjithë”, tha ai për emisionin “Aktual”, në RTK.
Sipas tij Rruga “A” e cila do të lidh dy lagjet “Kalabrinë” dhe Mat është me rëndësi. “Shpresoj që të mos kemi probleme gjatë tenderimit të rrugës “A””, tha ai.
Xhaferi bëri me dije se po kanë problem të madh në implementimin e shumë projekteve në Prishtinë për shkak të rritjes së çmimeve. “Ne si komunë, si autoritet kemi diskutuar me institucione të tjera, por nuk kemi autoritet për të subvencionuar kontratat e vjetra. Ne kemi shkëputur disa kontrata, kontraktorët nuk po duan të kryejnë punën për shkak të çmimeve. Nafta e determinon një pjesë të ndërtimeve. Pra duhet të ketë një qasje konstruktive dhe të shpejt”, deklaroi ai.
Ndryshe në kuadër të këtij projekti përfshihet rruga me të gjitha instalimet nëntokësore. Rruga do të jetë me tri korsi në një drejtim. Për autobus do të ketë korsi të veçantë, ndërsa dy korsitë tjera do të shfrytëzohen për vetura. Rruga do të ketë shtegun e biçiklistave dhe trotuarin afër saj. Po ashtu, do të ketë tre shtigje të hapësirave gjelbëruese. Rruga "A" do të ndihmojë dukshëm në shkarkimin e trafikut të Prishtinës së Re, në të cilën ndërtimi i segmentit të LOT I do të kushtojë rreth 8 milionë euro. LOT I, do të përfshijë segmentin nga “Veterniku” deri të vazhdimi i “Rrugës B”.























