Kurti-Meta, të ketë më shumë koordinim në politikën e jashtme
Blerim Halimi / RTKlive
(E plotësuar) Kryeministri Albin Kurti, priti sot në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta me bashkëpunëtorë. Kurti e Meta u pajtuan që duhet të ketë më shumë koordinim në politikën e jashtme dhe në atë rajonale, në përputhje me orientimin demokratik, qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të forcimit të aleancës veri-atlantike.
Kryeministri Kurti e falënderoi për vizitën dhe për faktin që ka zgjedhur Kosovën për të përmbyllur mandatin e tij si president. Ai e çmoi bashkëpunimin e deritashëm dhe kontributin e presidentit Meta për Kosovën dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë në proceset e anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Kartën e Adriatikut, Këshillin e Evropës dhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duke folur për bashkëpunimin konkret ndërmjet dy republikave, kryeministri vuri theksin te rëndësia e projektit për hekurudhën Durrës-Prishtinë, te rëndësia e bashkëpunimit në fushën e energjisë, investimeve në bujqësi, e sidomos te rëndësia e investimeve në mbrojtje e siguri, si çështje të sovranitetit, për çka kërkoi bashkëpunim të të dyja vendeve në këtë drejtim.
Kryeministri rikujtoi se vizita e Presidentit Meta koincidon me përvjetorin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, ku u bë e qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar.
Meta e falënderoi kryeministrin për pritjen dhe theksoi se Kosova është bërë shembull i demokracisë në rajon, që është vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare.
Ai i vlerësoi përpjekjet e mëdha të kryeministrit Kurti dhe të Qeverisë në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe ofroi mbështetje edhe më të fuqishme e të vazhdueshme edhe në kapacitete të tjera që do të ketë pas largimit nga detyra.
Lidhur me bashkëpunimin rajonal, presidenti Meta tha se duhet përkrahur vetëm nismat gjithëpërfshirëse, me trajtim të barabartë dhe lidership të qartë, sikurse Procesi i Berlinit.
Duke ritheksuar marrëdhëniet e mira bilaterale, ata u pajtuan që duhet të ketë më shumë koordinim në politikën e jashtme dhe në atë rajonale, në përputhje me orientimin demokratik, qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të forcimit të aleancës veri-atlantike.
Kurti takon Metën
(E plotësuar, ora 12:40) Pas adresimit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, presidenti Ilir Meta është pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Meta po qëndron në Kosovë me ftesë të presidentes Vjosa Osmani dhe kjo është vizita e tij e fundit si president i Shqipërisë, pasi të dielën i përfundon mandati.
Meta: Nuk pranoj falënderime, e kisha obligim ta mbështesja Kosovën
(E plotësuar, ora 11:00) Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se nuk mund të pranojë asnjë falënderim që i bëhet për mbështetjen e Kosovës, ngase një gjë të tillë e ka pasur obligim kushtetues e moral.
Ai pas takimit me presidenten Osmani ka thënë se kontributi i tij për Kosovën do të ishte edhe më i madh, sikur të mos i kishte problemet e brendshme në vendin e tij në pesë vitet e mandatit të tij si president i Shqipërisë.
“Nuk pranoj asnjë falënderim për arsye se kam bërë detyrën kushtetuese por edhe morale, siç e ka dhe çdo qytetar i Shqipërisë. E vetmja keqardhje që kam është se mund të kisha bërë edhe më shumë në përkrahjen e Kosovës nëse do të kisha më pak probleme të brendshme në vendim tim gjatë këtyre pesë viteve. Por ua jap fjalën që nga dita e hënë do të bëjë shumë herë më tepër edhe për Kosovën”, ka theksuar Meta.
Ai e falënderoi presidenten Osmani për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me të dhe me të gjitha institucionet e Kosovës dhe shprehu besimin që bashkëpunimi do të vazhdojë të jetë i tillë edhe në të ardhmen.
“Jam i bindur se edhe presidenti i zgjedhur i Shqipërisë do të vazhdojë këtë traditë shumë pozitive dhe është e rëndësishme ta theksojmë këtë vendimin e gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë, e cila e çimentojë pavarësinë e Kosovës dhe rrugën e lirisë që hyri Kosova në vitin 1999”, ka thënë tutje Meta.
Osmani: Kosovën e Shqipërinë i bashkon e ardhmja euroatlantike
(E plotësuar, ora 10:50) Presidentja Vjosa Osmani e ka falënderuar presidentin Ilir Meta për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm gjatë mandatit të tij si president i Shqipërisë, teksa ka thënë se pret që pavarësisht rolit dhe angazhimit të tij në të ardhmen, sërish ai të jetë zë i fuqishëm i Kosovës.
"Uroj Shqipërinë që së bashku me Maqedoninë e Veriut bënë hap përpara në integrimet evropiane, aty ku e ka vendin edhe Kosova. Ju i keni dhënë mbështetje Kosovës gjatë udhëheqjes suaj dhe kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Besoj se sërish do të vazhdoni të jeni zë i fuqishëm i Kosovës kudo ku ju jepet mundësia. Kosova është shtëpia juaj e dytë”, i ka thënë presidentja Osmani presidentit Meta gjatë konferencës për media pas takimit.
Ajo tutje ka thënë se Shqipëria ka qenë vazhdimisht në përkrahje të Kosovës, teksa duke folur për marrëveshjet e arritura ndërmjet dy qeverive ka thënë se tani është mëse e nevojshme që marrëveshjet të zbatohen edhe në praktikë për të mirën e qytetarëve të dy vendeve.
Ajo tutje ka thënë se agjenda institucionale e Kosovës mbetet e fokusuar në konsolidimin e mëtejmë si vend sovran e i pavarur.
“Objektiv i ynë i qartë mbetet anëtarësimi në struktruat veri-atlantike në BE dhe NATO. Kosova po punon për ta përgatitur aplikacionin e saj për status të vendit kandidat në BE deri në fund të këtij viti. Sa i përket NATO-s është e rëndësishme të bëjmë hapa vendimtar përpara sepse fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s ka krijuar siguri më të madhe për krejt rajonin. Në momentin që edhe Kosova do të anëtarësohet në këtë Aleancë do të rritet niveli i sigurisë dhe paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin tonë”, ka theksuar Osmani.
Ajo tutje ka thënë se shteti i Kosovës e ka të qartë orientimin proevropian dhe se gjithmonë do të jetë në anën e drejtë të historisë siç po qëndron edhe tani.
“Kosovën e Shqipërinë i bashkon shumëçka, por ajo që na bashkon edhe më shumë është e ardhmja e përbashkët euroatlantike”, ka shtuar Osmani, duke e falënderuar presidentin Meta në emër të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për ndihmën që i ka dhënë Kosovës.
Fillon takimi Osmani - Meta
(E plotësuar, ora 09:15) Ka filluar takimi ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Ky i fundit paraprakisht është pritur me nderimet më të larta shtetërore në sheshin `Ibrahim Rugova`.
Meta po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë me ftesë të presidentes Osmani, me rastin e përmbylljes së mandatit të tij në krye të shtetit shqiptar. Pas takimit do të mbahet edhe një konferencë për media.
Meta fillon vizitën në Kosovë
A.Bela / RTKlive
(E plotësuar, ora 09:05) Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka filluar vizitën zyrtare në Kosovë, me rastin e përmbylljes së mandatit të tij.
Ai është pritur me ceremoni shtetërore nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta do qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë, me rastin e përmbylljes së mandatit të tij.
Ai ndodhet në Kosovë me ftesë të presidentes Osmani.
Kjo e fundit e priti të parin e shtetit shqiptar me ceremonitë më të larta shtetërore nga garda e FSK-së në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.
“Pas ceremonisë së pritjes, Presidentja Osmani Sadriu zhvillon takim me presidentin Meta, si dhe në fund të takimit mbajnë konferencë të përbashkët për media”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ndërkohë, Meta në orën 11:50 do t’i adresohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës në një seancë të veçantë. Ndërsa, në orën 19:50, presidentja Osmani dhe presidenti Meta marrin pjesë në hapjen solemne të eventit Manifesta.
Policia e Kosovës nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditura angazhimet e saj për përcjelljen dhe sigurinë e presidentit Meta.
“Në kohën e ardhjes (pasdite) me 21 korrik, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme, në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta. Po ashtu edhe në ditën e kthimit, më 23 korrik, sipas agjendës zyrtare do të ndërmerren veprimet e njëjta policore, të lëvizjes së eskortës, në rrugët të cilat përdoren për qarkullim të eskortës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me këtë rast, Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.























