Osmani:Do të shikojmë nëse Specialja po respekton të drejtat e të akuzuarve
BKT
Lajme

Osmani:Do të shikojmë nëse Specialja po respekton të drejtat e të akuzuarve

Blerim Halimi / RTKlive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të shohin se nëse po respektohen të drejtat e njeriut në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë, të akuzuar mbi dyshimet e raportit të Dick Martyt për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Besoj që do të ulemi dhe do të diskutojmë me institucionet, në radhë të parë se si mund të bëjmë çmos që ligjet që i ka miratuar vetë Kuvendi i Kosovës, amendamentet kushtetuese që i ka miratuar me dy të tretat e votave, të zbatohen sa i përket mbrojtjes së të drejtave të të akuzuarve në këtë rast. Sepse kemi të bëjmë me një kontekst të lirive dhe të drejtave themelore të cilat janë pjesë e Kushtetutës sonë dhe të cilat i ka marrë përsipër t’i zbatojë edhe vet Gjykata Speciale”, tha Osmani gjatë konferencës së përbashkët për media me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Duke komentuar rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, e cila kërkon që Këshilli i Evropës të bëjë përditësime sa i përket raportit të senatorit Dick Marty, të vitit 2011, ku pretendohej se në Kosovë dhe Shqipëri ka pasur trafikim organesh gjatë luftës në Kosovë, Osmani theksoi:

“Dick Marty me raportin e tij ka tentuar ta shtrembërojë të vërtetën që ka ndodhur në Kosovë, e që ka qenë një luftë gjenocidale e Serbisë kundër popullit të Kosovës. Lufta çlirimtare e Kosovës dhe e UÇK-së nuk mund të zhbëhet nga askush sepse historinë nuk do të mund ta ndryshojë askush pavarësisht përpjekjeve. Kosova asnjëherë nuk ka pasur çfarë të fshehë sepse e ka mbrojtur vetveten nga një regjim gjenocidal i udhëhequr nga Millosheviqi në atë kohë”.

Nga ana e tij presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se dy vendet tona duhet t’i koordinojnë veprimet e tyre kur është në pyetje Gjykata Speciale.

“E dimë se kush qëndron prapa këtyre akuzave  kundër UÇK-së. Kosova e Shqipëria duhet të bëjnë gjithçka në mbështetje të kësaj beteje dhe uroj dhe shpresoj se shumë shpejt që ata të rikthehen në Kosovë. Por, Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinohen çdo ditë me njëra - tjetrën, sepse ky është një proces kundër drejtuesve të UÇK-së, por një proces kundër shtetësisë së Kosovës dhe kundër forcimit të pozitës së brendshme dhe ndërkombëtare të Kosovës”, ka thënë ai, teksa ka shprehur bindjen e tij të plotë se ish-krerët e UÇK-së do të dijnë ta mbrojnë me shumë dinjitet luftën e drejtë të popullit të Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme