PEN: Lumenjtë Llap, Lepenc, Drenicë dhe Sitnicë janë të ndotur
RTKlive
Organizata jo-qeveritare Peer Educators Network e cila është duke realizuar kampanjën “Kriza Për Ujë Të Pastër”, në bashkëpunim me Institutin Hodrometeorologjik të Kosovës, ka publikuar të dhëna për katër lumenjtë e Kosovës.
Sipas një komunikate për media të kësaj organizate, uji në lumenjtë Llap, Lepenc, Drenicë dhe Sitnicë, ka dalë të jetë i ndotur.
“Një prej vlerave e cila pasqyron ndotjen e lumit Llap është shpenzimi kimik i cili ka rezultuar 12 në burim dhe 170 në dalje të Podujevës. Niveli i temperaturës, nitriteve, nitrateve, azotit, klorureve, fenolëve dhe amoniakut, shpjegojnë edhe më hollësishëm këtë ndotje duke sjellë kësisoj zhdukjen e biodiversitetit ujor përgjatë shtratit të lumit”, thuhet në komunikatën e organizatës.
Në rezultatet laboratorike të cilësisë së ujit të lumit Lepenc, është vërejtur se në burim të lumit cilësia e ujit është e statusit të mirë, por se kjo cilësi bie përgjatë shtratit të lumit.
Cilësia e ujit në lumin Drenica, në bazë të direktivës Evropiane për ujëra sipërfaqësore, i takon statusit të moderuar (i ndotur).
Përderisa në burim të lumit cilësia e ujit është e statusit të mirë, kjo cilësi bie drastikisht përgjatë shtratit të lumit, duke u ndotur kryesisht nga ujërat e zeza.
Edhe ujit në lumin Sitnica i takon statusit të moderuar (i ndotur). Në këtë lum është marrë vetëm një mostër, pasi që ky lum nuk ka burim, por është formuar nga rrjedha të lumenjve tjerë.
Kjo kampanjë ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për pasojat e ujit të ndotur në ekosistem.























