Këtë javë Kuvendi mban dy seanca
BKT
Foto / RTKlive
Lajme

Këtë javë Kuvendi mban dy seanca

A.Bela / RTKlive

( E plotësuar, ora 11:40) Kryesia e Kuvendit të Kosovë, ka vendosur të enjten të mbajë seancë të re plenare, ku në rend dite do të jetë shqyrtimi në lexim të dytë të rregullores së re të Kuvendit dhe projektligji për financimin e partive politike , ndërsa të premten do të vazhdojë me seancën e mbetur. Këto u bënë të ditura pas mbledhjes së Kryesisë se Kuvendit.

Shefja e grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se seanca e re do të mbahet të enjten më 28 korrik në orën 10:00. “Seanca e dytë me pikat e papërfunduara nga e kaluara do të mbahet ditën e premte”, theksoi Kusari-Lila.

Ndryshe të premten Kuvendi vazhdon punimet nga seanca e kaluar, përfshirë dhe debatin për liberalizimin e vizave.

Kurse deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se në seancën e radhës do të jetë edhe Projektligji i rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, i cili është iniciuar nga PDK-ja.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha ka kërkuar interpelancë në Kuvend për ligjin e pagave dhe për ligjin për zyrtarët publikë.

Mblidhet kryesia e Kuvendit, diskuton për seancën e re plenare (Ora 06:36)

Sot do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në të cilën në rend dite janë disa pika, raporton RTKlive.

Do të diskutohet për përgatitjet për Seancën plenare të radhës. Në rend ditë janë pikat: Deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, miratimi i procesverbalit nga Seanca e mëparshme, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Partneritetit për Kornizën Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian për marrëveshjet për zbatimin e ndihmës financiare të Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit (IPA III), shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për financim të politikave zhvillimore për financa publike dhe rritje të qëndrueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Rregullimin e Çmimit të Produkteve Medicinale, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Shëndetësi dhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2021.


Mbledhja fillon në ora 11:00.


MË SHUME NGA Lajme