Kaquri: Të gjitha borxhet shëndetësore janë të arkivuara në FSSh
A.Bela / RTKlive
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, drejtuar nga kryetarja Hykmete Bajrami, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën u shqyrtua raporti i Auditimit për pasqyrat financiare të Fondit për Sigurime Shëndetësore për vitin 2021.
Raportin e auditimit e prezantoi deputeti raportues Hajdar Beqa, i cili gjatë fjalës së tij vlerësoi se në këtë raport janë bërë vlerësime reale të gjendjes në Fond, duke potencuar mos dorëzimin e dëshmive të trajtimit të subvencioneve nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.
“Nga 88 mostra të testuara në vlerë prej 4 milionë e 827 mijë euro tek rastet e rregullta ose jo urgjente, vetëm 55 pacientë i kishin dorëzuar faturat e trajtimeve, përderisa pjesa tjetër e pacientëve nuk i kishin dorëzuar dëshmitë e trajtimit të subvencioneve nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Vlera financiare e rasteve të cilat nuk i kishin dorëzuar dëshmitë për trajtime është 446 mijë euro”, tha deputeti Beqa.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv, Bujar Kaquri, tha se FSSh-ja është pajtuar me gjetjet e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe tashmë kanë përpiluar një plan veprimi.
Kaquri tha se ende nuk kanë raporte zyrtare rreth borxheve që institucionet shëndetësore brenda dhe jashtë vendit, në të cilat janë trajtuar pacientët, i kanë shtetit të Kosovës, e as borxhet që shteti i Kosovës u ka institucioneve të tilla shëndetësore.
“Nuk ka asnjë evidencë për barazimet me institucionet jashtë vendit. Rekomandimi ka qenë që raporti të jetë gjashtëmujor, por asnjëherë nuk ka raport deri më tash. Unë kështu e kam pranuar detyrën dhe tash e tutje do t’i shohim mundësitë e veprimit. Të gjitha borxhet janë të arkivuara në FSSh dhe në mbledhjen e ardhshme të bordit na është kërkuar që t’i kemi të listuara”, theksoi Kaquri.
Anëtarët e Komisionit shtruan pyetje për përfaqësuesit e Fondit për Sigurime Shëndetësore.
Pas përfundimit të raportimit, kryetarja Hykmete Bajrami propozoi që deri në javën e ardhshme të dalin me rekomandime nga ana e Komisionit, të cilat do të dorëzohen në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme Komisioni miratoi gjithashtu katër rekomandime për Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë.























