Analistët: Takimi me Blinken shumë pozitiv
BKT
Lajme

Analistët: Takimi me Blinken shumë pozitiv

Pajtim Çuni/Radio Kosova

Takimi i djeshëm në SHBA, ndërmjet Sekretarit amerikan të shtetit, Antoni Blinken, dhe krerëve të Kosovës, po vlerësohet si shumë pozitiv nga njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare e analistë politikë. Ata thonë se nga ky takim SHBA dha mesazh të qartë për sa i përket përfundimit të dialogut me Serbinë, me njohje reciproke dhe përshpejtimit të integrimit euro-atlantik të Kosovës.

Ulja në një tavolinë  të përbashkët në Uashington, ndërmjet sekretarit amerikanë të shtetit, Antoni Blinken, presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po vlerësohet si një takim pozitiv, në kohën kur kishte dyshime sa i përket zhvillimit të një takimi të tillë. Analisti politik, Artan Muhaxhiri thotë se ky takim ishte tejet i mirëseardhur dhe pozitiv, ndonëse, sipas tij, ishte paksa i vonuar. 

 “Takime të tilla është dashur të ketë shumë më herët dhe më shpesh. Megjithëkëtë, të gjithë duhet të jemi të lumtur që takimi u zhvillua, sepse, çdo takim i lidershipit kosovar me atë amerikan është një hap avancues drejt fuqizimit të marrëdhënieve tona”, tha ai.

Në takimin u diskutua edhe për rëndësinë e vazhdimit dhe përmbylljes dialogut Kosovë-Serbi, me njohje reciproke. Në këtë drejtim, analisti Muhaxhiri thotë se SHBA mund të ketë pasur kërkesa për Kosovën.

 “Mund të supozojmë që sekretari Blinkin, i ka kërkuar edhe presidentes Osmani, edhe kryeministrit Kurti, që të jenë sa më konstruktiv drejt arritjes së marrëveshjeve me Serbinë, dhe të ndryshoj dinamika e deritashme e dialogut, e cila është shumë e ngadalshme dhe nuk jep shpresë se mund të arrihet marrëveshja finale me Serbinë”, tha Muhaxhiri.

Edhe profesori universitar, Dritëro Arifi, takimin e djeshëm në Uashington e vlerëson si shumë pozitiv. Ai thotë se përveç mesazheve të qarta sa i përket dialogut, i cili duhet të përmbyllet me një marrëveshje finale e njohje reciproke Kosovë-Serbi, SHBA dha mesazh të fuqishëm edhe për sa i përket përkrahjes për Kosovën për integrimet euro-atlantike.

 “Kjo është një diçka e re që tregon se SHBA-ja është e interesuar që Kosova përvese të njihet nga Serbia, të përshpejtohet edhe integrimi euroatlantik i Kosovës në BE dhe NATO. Kjo është një deklaratë e fuqishme dhe diplomatike e SHBA-së, që në njëfarë mënyre, e favorizon Kosovën, por, njëkohësisht edhe Kosova duhet të kuptojë që ka obligime që duhet përmbushur karshi qytetarëve dhe partnerëve të saj”, tha Arifi.

Takimi Blinkin-Osmani-Kurtit, që ishte i pari në këtë nivel, vlerësohet mjaft pozitiv edhe nga njohës të tjerë të marrëdhënieve ndërkombëtare.


MË SHUME NGA Lajme