Kosova përballë krizës energjetike -Video
Qendresa Duraku /RTK
Kriza energjetike që ka kapluar botën pritet të ndikojë direkt edhe në Kosovë. Madje nuk përjashtohet mundësia që në sezonin e dimrit të ketë sërish rritje të tarifave të energjisë elektrike.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, në një deklaratë për RTK-në, ka thënë se doemos rritja e çmimeve të energjisë elektrike në regjion do të ndikojë edhe në Kosovë.
Ngritja e e vazhdueshme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare të energjisë në regjion, detyrimisht do të ndikojë edhe në Kosovë. Madje këtë dimër mund të ketë ngritje të serishme të çmimeve të energjisë në rast se vazhdon një trend i tillë.
Këtë nuk e ka përjashtuar Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Në një deklarim për RTK-në, kryesuesi i bordit të ZRRE-së Ymer Fejzullahu tha se rritja e çmimeve do të ndikojë edhe në Kosovë. "Siç e dini gjatë sezonit të dimrit në disa periudha Kosova pothuajse dyfishin e kapacitetit që e prodhon e importon , prandaj domosdoshmërish rritja e çmimeve të energjisë elektrike në regjion do të ndikojë edhe në Kosovë”, tha Fejzullahu për RTK-në.
“Se sa do të jetë ndikimi dhe a priten ndryshime, deri më tani shqetësuese është fakti që kemi rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare e domosdoshmërisht do të ketë ndikim edhe në Kosovë".
Ai tha se megjithëse termocentralet e Kosovës janë duke u përgatitur për periudhën e dimrit që të ketë furnizim të qëndrueshëm, shpjegon se kjo nuk mjafton.
"Edhe në rast se të gjithë gjeneratorët punojnë në periudhën e dimrit ne kemi nevojë për import”, deklaroi Fejzullahu. "Sipas parashikimeve që i kemi bërë ne në shkurt të këtij viti, çmimi mesatar i lejuar për importin e energjisë elektrike për këtë vit është rreth 200 euro, ndërsa parashikimet në bursa ndërkombëtare kemi indikacione që do të jenë shumë të larta sidomos në periudhën e dimrit".
Zyra e Rregullatorit sot mbajti edhe një mbledhje ku vendosi për lëshimin e disa autorizime për ndërtimin e gjeneratorëve për vetëkonsum si dhe ndryshimi i rregullës për licencim e që ka të bëjë me njohjen e licencës së përkohshme dhe njohjen reciproke të saj.























