Vuçiq falënderon serbët e Kosovës për “përmbajtje e guxim”
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Vuçiq falënderon serbët e Kosovës për “përmbajtje e guxim”

Jeton Musliu / RTKlive

(Plotësuar) Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një deklarim të orëve të vona, kërkoi nga ndërkombëtarët që të bisedojnë me autoritetet kosovare për situatën aktuale.

Duke e cilësuar Prishtinën zyrtare si të papërgjegjshme, ai tha se shpreson që të depërshkallëzohet situata sonte apo nesër e të vazhdojnë bisedimet.

Një deklarim të tillë ai e bëri pas takimit që pati në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë serbe.

“Para kësaj gjenerali Mojsiloviq kishte bisedë me komandantin e KFOR-it e cila ka kaluar në një frymë korrekte”, tha Vuçiq.

“Në mesnatë presim një bisedë mes komandantit të KFOR-it dhe Goran Rakiqit dhe përfaqësueseve serbë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që dialogu të vazhdojë dhe të fillojmë t’i zgjidhim gjërat në mënyrë paqësore”. 

Ai i është drejtuar serbëve në veri, duke i falënderuar për trimërinë.

“Shumë faleminderit serbëve për përmbajtjen dhe guximin e tyre. Lufta më e vështirë politike është përpara nesh”, deklaroi kreu i shtetit serb.

“Po punojmë për të qetësuar gjithçka. Pavarësisht se sa e vështirë ka qenë, nuk do të ketë dorëzim, Serbia do të fitojë”, ka thënë Vuçiq.

Rusia krah Serbisë, Beogradin e cilëson shënjestër të perëndimit

(Plotësuar) Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë, ka sulmuar liderët kosovarë pas vendosjes së reciprocitetit ndaj Serbisë, duke mbështetur Serbinë.

“Udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës e dinë se serbët nuk do të qëndrojnë indiferentë kur bëhet fjalë për sulmin e drejtpërdrejt ndaj lirive të tyre dhe qëllimisht po e përshkallëzojnë situatën për të nxitur një skenar ushtarak”, deklaroi Ministriae Punëve të Jashtme të Rusisë në një deklaratë për media.

“Sigurisht se Beogradi është shënjestër e sulmeve të ashpra, e që perëndimi dëshiron t’i neutralizojë më tepër me duart e shqiptarëve”, shkruan në këtë reagim.

Aktualisht Rusia është një shtet agresor dhe është në luftë me Ukrainën, shtet të cilin e ka sulmuar.

Kërçeli: Vuçiq qëndron prapa urdhrit për vendosjen e barrikadave

Valbona Thaçi/RTKlive

( E plotësuar) Shefi i kabinetit të kryeparlamentarit, Ilir Skender Kërçeli në një postim në Facebook , ka reaguar pas vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë në veri të vendit.

Ai ka akuzuar presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq se qëndron prapa urdhrit për vendosjen e barrikadave.

“I njëjti Vuçiq si ai që kërcënonte se për një serb të vrarë do t’i vrasë 100 myslimanë si hakmarrje, i njëjti që pas 22 viteve i thotë botës jo për sanksione ndaj Rusisë, e po i njëjti që jep urdhra për sulme ndaj organeve të rendit të Republikës së Kosovës. Ky është Vuçiq e kështu ka mbetur Serbia me këta politikanë”, ka shkruar ai.

Abdixhiku: Mbështesim angazhimin e institucioneve për shtrirjen e ligjshmërisë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka mbështetur vendimin e Qeverisë Kurti për reciprocitet ndaj targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia, duke thënë se kjo është e drejtë e çdo shteti sovran.

Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe forcave të sigurisë që ushtrojnë detyrën e tyre kushtetuese në veri të vendit, duke shtuar se mbështetja për ta është e domosdoshme.

“Mbështesim angazhimin e institucioneve të Kosovës për shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës. Reciprociteti është e drejtë e çdo shteti sovran.
Dënojmë sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe forcave të sigurisë që ushtrojnë detyrën e tyre kushtetuese në veri të vendit. Mbështetja për ta është domosdoshmëri. Koordinimi me aleatët tanë ndërkombëtarë në parandalimin e çfarëdo provokimi nga Serbia brenda territorit të Kosovës është esencial. Në këto momente, Kosovës i duhet stabilitet, ligjshmëri dhe siguri”, ka shkruar ai.

Krasniqi: Veprimet e paligjshme në veri të vendit janë të papranueshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, ka reaguar për situatën në veri, ai ka thënë se vendosja e barrikadave dhe veprimet e paligjshme në veri të vendit janë të papranueshme.

Krasniqi thotë se Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë liri të lëvizjes dhe respektim të ligjit në çdo cep të vendit tonë.

“Në mungesë të informatave zyrtare nga ana e qeverisë, inkurajoj institucionet tona të sigurisë që të jenë në shërbim të ruajtjes së rendit publik dhe sovranitetit në veri të vendit” ka shkruar Krasniqi në rrjetin social Facebook.

Ai shton se këto veprime duhet të koordinohen edhe me partnerët ndërkombëtarë, të cilët i ftoj që t'i monitorojnë dhe denoncojnë provokimet dhe veprimet e paligjshme të strukturave kriminale në veri të vendit, që qartësisht janë të sinkronizuara me Beogradin zyrtar.

“Ftoj qytetarët e komunitetit serb që të mos lejojnë të manipulohen nga politika destruktive e Serbisë që ka synim destabilizimin e vendit tonë. Të gjithë duhet të punojnë për mbarëvajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë për qytetarët, duke garantuar lëvizjen e lirë për të gjithë”, thotë ai.

​Hamza flet për zhvillimet në veri: Qytetarët të qëndrojnë të qetë

KP

Kryetari i komunës së Mitrovicës Bedri Hamza ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri.

Hamza në një prononcim për KosovaPress u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë në shtëpitë e tyre. Ai tha se Kosova ka polici profesionale e cila vepron në përputhje me ligjin dhe i trajton pa dallim të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe ata serbë.

“Ne i kemi bërë dhe vazhdojmë t’iu bëjmë apel qytetarëve të Mitrovicës në pjesën jugore që të jenë të qetë. Kjo është një punë që iu takon institucioneve të rendit, institucioneve të sigurisë, Policisë së Kosovës. Kosova ka një polici mjaft profesionale, e cila vepron në përputhje me ligj dhe pa dallim i trajton njësoj të gjithë qytetarët e Kosovës, pa kurrfarë dallimi as etnik, as religjioz apo racor. Ne jemi të interesuar që të ketë qetësi, organet e rendit ta kryejnë punën e vet, të zbatohet rendi dhe ligji në të gjitha pjesët e territorit të Kosovës dhe kjo është në dobi të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe ata që i përkasin nacionalitetit serb, sepse qetësia, rendi dhe ligji që na konvenon të gjithë neve në Kosovë. Pres që të gjithë të reflektojnë që organet e rendit ta kryejnë punën e vet, qytetarët të jenë të qetë dhe të jenë në shtëpitë e tyre, në detyrat e tyre dhe punët e tyre”, tha ai.

Serbët lokalë kanë bllokuar sot rrugët në veri në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së reciprocitetit të Kosovës qysh nga dita e hënë ndaj letërnjoftimeve dhe targave të lëshuara nga shteti i Serbisë.

Presidenca: Barrikadat janë vendosur me urdhër të Vuçiqit

J. Musliu/ RTKlive

Blerim Vela, shef i stafit të Presidentes së Kosovës, thotë se barrikadimi i rrugëve në veri po bëhet me urdhër direkt të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Këtë deklarim ai e bëri pas tensionimit të situatës në veri, ndonëse paralajmërim të ngjashëm kishte dhënë ditë më parë edhe Presidentja Vjosa Osmani në deklarime të ndryshme.

 “Vuçiq bart përgjegjësinë e plotë në rast të ndonjë eskalimi të situatës në terren. Ai do të dështojë”, shkroi Vela  në një postimin në Twitter.

Me urdhër direkt të Vuçiqit, strukturat  ilegale të Serbisë në Kosovë kanë vendosur barrikada në disa rrugë në veri”, shkroi ai.

“Kjo është përpjekje flagrante për minuar sundimin e ligjit në Kosovë”.

Për situatën në veri ku janë vendosur barrikada në rrugë nga serbët lokalë, ka reagime të shumta.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm


MË SHUME NGA Lajme