Ekskluzive: Ky është dokumenti që serbëve të Serbisë u jepet në kufi
Jeton Musliu / RTKlive
(Plotësuar) Policia e Kosovës ka filluar të zbatojë masën e reciprocitetit me Serbinë, përkitazi me hyrjen e shtetasve të Serbisë me dokumente të Serbisë, në territorin e Republikës së Kosovës.
Në të gjitha pikat kufitare, përveç një Jarinjë e Bërnjak, që vazhdojnë të mesin të mbyllura, një masë e tillë ka filluar të zbatohet.
RTK ka siguruar dokumentin që Policia e Kosovës u jepet udhëtarëve që në kufi prezantojnë dokumente të Serbisë.
Në krye të tij shkruan “Dokument për hyrje-dalje” e lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Në dokument duhet të jepen të dhënat personale të personit që hyn në Kosovë kurse në gjysmën e dytë të dokumentit jepen sqarime shtesë në të të tri gjuhët, në atë shqipe, serbe dhe angleze.
“Bartësi i këtij dokumenti është i obliguar ta ketë këtë me vete këtë dokument gjatë gjithë kohës. Në rast të humbjes së dokumentit hyrje-dalje, bartësi i këtij dokumenti është i obliguar t’i drejtohet stacionit më të afërt të policisë për t’u pajisur me vërtetim që ai/ajo ka humbur dokumentin hyrje-dalje”, shkruan në këtë dokument.
Qeveria e Kosovës ishte pajtuar që të shtyjë afatin e vendosjes së reciprocitetit për 30 ditë me qëllim që barrikadat në magjistralet Mitrovicë-Jarinjë dhe Mitrovicë-Bërnjak të largohen.
Meqë një gjë të tillë nuk e kanë bërë serbët lokalë, atëherë Qeveria ka vazhduar të zbatojë vendimin e saj të mëparshëm.
Policia: Nis zbatimi i reciprocitetit për letërnjoftime
Policia e Kosovës vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, zbatimin e vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në veri të Mitrovicës.
Policia deklaron se vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të cilët paraqiten për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës, ka filluar të zbatohet në nivel vendi.
“Dy pikat kufitare Jarinje dhe Bernjak vazhdojnë të mbesin të mbyllura për qarkullim, për shkak të vazhdimit të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre dy pikë kalimeve kufitare, të cilat janë bërë me mjete të rënda nga persona/grupe të organizuara kriminale”, deklaron policia.
Informacionet zyrtare konfirmojnë se dje, më 31.07.2022 pas bllokimit të rrugëve në Veri të Mitrovicës, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim. Fatmirësisht nuk raportohet për ndonjë qytetar apo zyrtar policorë të plagosur nga arma e zjarrit”, sqaron policia, mbi zhvillimet në veri.
Policia deklaron se deri më tani janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve.























