Gërvalla-Lajcakut: Reciprociteti mbetet, shtyrja ishte propozim amerikan
Jeton Musliu / RTKlive
I kujt ishte propozimi për shtyrjen një mujore të zbatimit të masës së reciprocitetit për letërnjoftime?
Në mbrëmjen e së dielës, Qeveria deklaroi e ky ishte propozim i ambasadorit amerikan Jeff Hovenier, pas takimit që ky i fundit pati me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti, e ku prezent ishin edhe zëvendëskryeministrat Besnik Bislimi e Donika Gërvalla, kjo e fundit edhe ministre e Punëve të Jashtme e Diasporës.
Megjithatë, një postim në rrjetet sociale të Miroslav Lajçak, emisarit të BE-së për Ballkanin perëndimor dialogun Kosovë-Serbi, ka nxitur reagimin e ministres Gërvalla.
Në deklarimin e tij, Lajçak shkruan se “mirëpret vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin e Joseph Borrel (Shef i BE-së për Politikë të Jashtme) për shtyrjen një mujore”.
Lajçak shkruan se BE pret që të gjitha bllokadat të hiqen menjëherë.

“Borrell ftoi Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog në rrugën përpara. Mirënjohës ndaj ambasadës së Amerikës në Kosovë për mbështetjen e fortë”.
Por, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, i reagoi Lajçakut.
Në një postim në Twitter, asjo shkroi se Kosova është pajtuar që të ndalojë zbatimin kësaj mase deri më 1 shtator, por vetëm nëse bllokadat largohen më 1 gusht.
“Faktet mbesin fakte: Kosova është pajtuar me propozimin e SHBA-së, në linjë me BE-në. Ne jemi pajtuar që ta pauzojmë deri më 1 shtator 2022 – por vetëm nëse bllokadat largohen më 1 gusht”, shkroi Gërvalla.
“Reciprociteti do të mbesë realitet. Kosova nuk ka ‘shtyrë’ asgjë, rregullorja për ID-të është miratuar nga mesnata”, ka shkruar ajo, derisa e ka shpërndarë një postim të Lajçakut.























