Borelli kërkon heqjen e barrikadave, i fton Kurtin dhe Vuҫiqin në Bruksel
Gjeraqina Tuhina/ RTK
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell ka këkruar heqjen e menjëhershme të barikadave në veri, teksa ka përshendetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtyerjen e zbatimit të masave të reciprocitetit për një muaj.

Vendimin e qeverisë e ka përshëndetur edhe përfaqësuesi i veҫantë i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajҫak.

Megjithatë zyrtarët evropian nënvizojnë se deri tek eksalimi i situatës në veri të Kosovës ka ardhur si rezultat i mungesës së gatishmërisë së liderëve që të rikthehen në tryezën e negociatave.
Një zyrtar evropian nën kushte anonimiteti nënvizoi se tensionet janë pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së takimeve në nivelin më të lartë.
“Tani kemi tensione që kanë potencial të përshkallëzohen sepse kemi sërish një pikë zjarri. Çdo politikan përgjegjës do të hipte në aeroplan dhe do të vinte në Bruksel sa më shpejt që është e mundur për të gjetur një zgjidhje," tha ky burim evropian, raporton RTK.
Kjo është arsyeja përse, siҫ merret vesh, tek kabineti i kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuҫiq, të dielen ka arritur ftesa e Josep Borell që ata të vijnë në Bruksel për të vazhduar procesin e bisedave.
Ky takim i mundshëm, sipas zyrtarëve evropoian do shërbente për bisedime rreth të gjitha çështjeve të hapura përfshirë edhe zbatimin e vendimit të qeverisë. Bashkimi Evropian ndryshe vazhdon të insiton se vendimi i qeverisë është konform marrëveshjeve në dialog të arritura në vitin 2011 dhe 2016, por zyrtarët e Brukselit kanë vërejtje në, siҫ e kualifikojnë, “zbatimin unilateral të këtij vendimi pa konsultimin paraprak me popullatën e prekur, përkatësisht serbët e veriut”.























