Haradinaj: Afati për zbatimin e reciprocitetit të shfytëzohet me seriozitet
Kimete Kasumi/ RTKlive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova nuk e ka komoditetin të bëjë eksperimente.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se operacionet e sigurisë për shtrirjen e sovranitetit, duhet të studiohen, të analizohen e të shpjegohen mirë.
‘Kosova nuk e ka komoditetin të bëjë eksperimente. Operacionet e sigurisë për shtrirjen e sovranitetit, duhet të studiohen, të analizohen e të shpjegohen mirë. Çdo veprim i lënë në gjysmë të rrugës, siç ishte ai i mbrëmshmi, është humbje për Kosovën. Zbatimi i rendit dhe ligjit është i pa alternativë dhe duhet të bëhet në konsultim të ngushtë me aleatët e sigurisë", tha ai.
Ai ka thënë se afati për zbatimin e reciprocitetit duhet shfytëzuar me seriozitet.
"Afati prej 30 ditësh për zbatimin e reciprocitetit duhet të shfrytëzohet me shumë seriozitet. Shteti i Kosovës nuk dobësohet vetëm nga bandat kriminale në veri, por edhe nga të paditurit e praktikantët në qeveri. Kushtetuta e vendit është më e fortë sesa kriminelët në veri, e të paditurit e praktikantët në qeveri", ka shkruar ai.
"Qeveri, nëse hala je qeveri, voto ligjet e forcoje Policinë, ligjn për paga dhe ligjet për sigurim shëndetësor e pensional. Nëse s'je qeveri, do të shihet me 31 gusht", ka përfunduar Haradinaj.
























