LDK: Mbështesim reciprocitetin në koordinim me aleatët tanë
BKT
Foto: Lumir Abdixhiku/Facebook
Lajme

LDK: Mbështesim reciprocitetin në koordinim me aleatët tanë

Kimete Kasumi/ RTKlive

Lidhja Demokratike e Kosovës dje, i dha mbështetje institucioneve të Republikës së Kosovës në lidhje me shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë thënë se Kosovës në këto momente më së shumti i duhet siguria dhe qetësia.

"Dënuam sulmin ndaj Policisë së Kosovës që po ushtronte mandatin e saj kushtetues. Kërkuam koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe theksuam që Kosovës në këto momente i duhen më së shumti siguria dhe qetësia", thuhet në një komunikatë për medie nga LDK.

"Nga dështimi i mbrëmshëm, kuptuam që institucionet nuk janë koordinuar me askënd dhe se nuk kanë qenë të përgatitura për situatën e djeshme.Ndërsa sot, pas dështimit, Presidentja ftoi në takim partitë opozitare me Qeverinë. Për çfarë? Për të mbuluar dështimin dhe papërgjegjësinë?", vazhdon tutje komunikata.

Tutje ata theksuan se e mbështesin vendosjen e reciprocitetit, si masë e drejtë e çdo shteti sovran.

"Opozita duhet të konsultohet dhe të dëgjohet para se të ndërmerren veprimet. Opozita mund të ndihmojë Qeverinë që të mos gabojë, por nuk mund të marrë përsipër dështimet e saj. Mbështesim vendosjen e reciprocitetit, si masë e drejtë e çdo shteti sovran. Në të njëjtën kohë, koordinimi me aleatët tanë është kërkesë e përhershme e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky koordinim është kushti i vetëm i suksesit", përfundon komunikata.


MË SHUME NGA Lajme