Presidentja Osmani falendëron homologun Begaj për përkrahje
J.Musliu/RTKlive
(Plotësuar) Presidentja Vjosa Osmani zhvilloi bisedë telefonike me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar sot një telefonatë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, me ç’rast Presidenti Begaj mbështeti vendimet e institucioneve të Kosovës lidhur me reciprocitetin dhe maturinë e treguar.
Siç njofton presidenca, me këtë rast, Presidentja Osmani ka falënderuar homologun Begaj për mbështetjen dhe ka shprehur mirënjohjen e thellë nga ana e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.
Të dy presidentët janë dakorduar për komunikim të rregullt dhe vijim të bashkëpunimit me qëllim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon.
Për zhvillimet në Kosovë, presidenti Begaj bisedë me presidenten Osmani
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi bisedë telefonike me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.
Në njoftimin e presidentit Begaj me anë të një postimi në facebook, shkruan se ka përshëndetur vendimin e matur që autoritetet e Kosovës morën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, për të shtyrë zbatimin e vendimit të reciprocitetit me Serbinë për çështjet e dakordësuara më herët.
Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi se vendimi shmangu një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës, veçanërisht në këtë situatë të ngarkuar me kërcënime e rreziqe të mëdha e të shtuara, për paqen dhe sigurinë e rajonin tonë pas agresionit rus në Ukrainë.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë deklaroi se Kosova është tashmë një realitet i pakthyeshëm politik, kontribuues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe sovraniteti i saj mbetet i pacenueshëm.
Ai gjithashtu tha se i bashkohet thirrjes së aleatëve në NATO dhe partnerëve ndërkombëtare për vijimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
“Vetëm nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe intensiv do të mund të adresohen drejtë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Shqipëria do të vijojë të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për ruajtjen e paqes dhe stabilietit në rajon, si dhe të mbështesë fuqishëm vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Presidenti Begaj gjatë bisedës telefonike me Presidenten Osmani.























