Reciprocitet s`ka në Jarinjë, por ka në Merdare (Video)
Jeton Musliu / RTKlive
Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak në veri të vendit, janë rihapur pas heqjes së bllokadës së rrugëve nga serbët lokalë.
Megjithatë, në këto dy pika kufitare, qytetarëve që prezantojnë dokumente të Serbisë, gjatë hyrjes në Kosovë, nuk po u jepen letrat për hyrje/dalje nga Kosova.
Gazetari i RTK-së, Hysni Demaku, i ndodhur në Jarinjë, konfirmon se asnjë qytetari nuk po u jepet një letër e tillë.
Megjithatë, ndryshe është situata në pikën kufitare në Merdare. Gazetari i RTK-së, Fazli Veliu, raporton se të gjithë atyre që hyjnë në Kosovë dhe posedojnë vetëm dokumente të Serbisë, vazhdon t’u jepet letra për hyrje/dalje në Kosovë.

Pas bisedës me zyrtarët e pikës kufitare, ai konfirmon se rreth 200 dokumente të tilla janë lëshuar që nga orët e paradites kur ka filluar të zbatohet ky vendim.
Zyrtarët kufitarë kanë thënë se nuk kanë pranuar ndonjë vendim të dytë.
Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për dokumentet e Serbisë, por pas bllokimit të magjistraleve Mitrovicë-Jarinjë e Mitrovicë-Bërnjak, nga serbët lokalë, dhe ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, e ka shtyrë zbatimin e këtij vendimi për 30 ditë.
Megjithatë, deri më tash për të njëjtin vendim, ka zbatime të ndryshme në pikat kufitare të Kosovës.























