Nënkryetari i Komisionit për Siguri, Enver Dugolli, i ftuar sonte në RTK
Blerim Haxhiaj/ RTK
Pas zhvillimeve dramatike në veri, nënkryetari i Komisionit për Siguri, Enver Dugolli jep detaje te “Zona e Parlamentit”.
Kosova planifikon që të rrisë mbështetjen për sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes, sidomos pas zhvillimeve të fundit dhe kërcënimeve të vazhdueshme që vijnë nga Serbia për paqen dhe stabilitetin në vend.
I ftuar në emisionin e përjavshëm në RTK te “Zona e Parlamentit”, nënkryetari i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje në Kuvendin e Kosovës, Enver Dugolli, ka dhënë më shumë detaje për planet e pushtetit që të forcojë kapacitetet e sigurisë.
Nënkryetari Dugolli ka komentuar edhe zhvillimet e fundit në veri pas vendimit për zbatimin e reciprocitetit për letërnjoftimet me Serbinë.
Ai është shprehur se çdo vendim i qeverisë Kurti, përfshirë edhe këtë të fundit, është i koordinuar me partnerët ndërkombëtare. Dugolli kritikoi qëndrimet e opozitës, që bojkotuan një takim të lidervë institucionalë ku ishin të ftuar edhe krerët e partive opozitare.
Sipas Dugollit, qeveria nuk do të tërhiqet nga zbatimi i reciprocitetit me Serbinë, një muaj pasi të mbarojë afati shtesë i kërkuar nga ambasadori amerikan. Deputeti i LVV-së, nuk e ka mohuar rrezikun për veprime agresive nga ana e Serbisë dhe i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë ashpër ndaj këtyre kërcënimeve.
Dugolli potencoi se serbët lokalë në veri gradualisht janë tërhequr nga veprimet destruktive që nxiten nga Serbia dhe barrikadat po vendosen nga bandat kriminale të maskuara.
Qeveria do ta rrisë buxhetin për mbrojtjen në 2 për qind të GDP-së, ka thënë më tej Dugolli. Ai ka bërë edhe bilancin e punëss së Komisionit Parlamentar për Siguri, duke veçuar miratimin e ligjit për Komisionerin e FSK-së, që do të jetë një rol ombudspersoni, për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të forcave të armatosura.
Ndërkohë, disa ndryshime në kornizën ligjore për FSK-në, kanë mbetur për sezonin vjeshtor të Kuvendit.
“Zona e Parlamentit” është një emision kushtuar temave parlamentare dhe aktualitetit politik, që drejtohet nga Blerim Haxhiaj.
Emisioni transmetohet çdo të martë prej prës 22.00 në RTK.























