Haxhiu thotë se u mbajt zotimi për Gjykatën Komerciale
Emine Hoti/RTKlive
Ka filluar punën Gjykata Komerciale e Republikës së Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu përmes një shënimi në Facebook ka thënë se përkundër dyshimeve, Gjykata Komerciale ka filluar funksionimin.
“Edhe përkundër zotimeve tona për funksionalizim të shpejtë të saj, në debate televizive gjithandej, thuhej se Gjykata Komerciale nuk mund të funksionalizohet para 5 viteve. Gjykata Komerciale filloi punën shumë pak muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit”, ka shkruar Haxhiu.
Ministrja Haxhiu me këtë rast ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar deri në funksionalizimin e këtij institucioni.
“Falënderoj Kuvendin për mbështetjen si dhe Këshillin Gjyqësor për bashkëpunimin dhe angazhimin për funksionalizim të Gjykatës Komerciale, gjithashtu edhe programin e USAID për drejtësi komerciale”.
“Punë të mbarë gjyqtarëve dhe stafit mbështetës, uroj ta kryejnë punën me nderë dhe përkushtim dhe vetëm në përputhje me kompetencat dhe legjislacionin”, ka përfunduar Haxhiu.























