Sveçla: Kemi koordinim të plotë me QUINT-in dhe BE-në
BKT
Foto: RTKLive
Lajme

Sveçla: Kemi koordinim të plotë me QUINT-in dhe BE-në

Jeton Musliu / RTKlive

(Plotësuar) Gjatë intervistës në magazinën informative “Lajmet e Fundit” ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla foli edhe për koordinimin me faktorin ndërkombëtar.

Sveçla tha se nuk beson se Vuçiq dhe Serbia kanë kapacitete të sulmojnë Kosovën, por me një mendje të sëmurë, siç e quajti ai kreun e shtetit serb, gjithçka mund të ndodhë.

Për më tepër ai rikujtoi se Serbia ka shkaktuar katër luftëra dhe presidenti i saj ishte ministër i Propagandës së regjimit të Slobodan Milosheviqit.

Megjithatë, rikujtoi e në Kosovë ka kapacitetet të sigurisë dhe mbrojtjes dhe se vendi nuk është ai i vitit 1999, duke përmendure dhe prezencën e NATO-s.

Teksa foli për bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar, Sveçla tha se të gjitha aktivitetet sa i përket veriut, janë bërë të përkrahura nga aleatët e Kosovës, dhe se të njëjtit kanë qenë të informuar par dhe gjatë aksionit.

“Ne kemi legjitimitet të plotë duke qenë se janë rrjedhojë e marrëveshjeve të mëhershme. Është qaseje normale pasi ka 11 vite që Serbia i lëshon dokumente hyrje-dalje shtetasve të Kosovës e këtë e bën edhe duke maltretuar qytetarët”, tha ministri Sveçla.

Ai tha se Kosova bën vlerësimet e duhura dhe ka pranuar kërkesën  e ambasadorit amerikan Jeff  Hovenier, për ta shtyrë zbatimin edhe një muaj të zbatimit të reciprocitetit.

“Kjo për shkak se ka një luftë të madhe propagandistike që ka shkaktuar huti tek qytetarët serbë të Kosovës. Atëherë ne do të vazhdojmë fushatën informuese dhe këto dezinformata të Serbisë t’i neutralizohen dhe të vazhdojmë me zbatimin e vendimit me 1 shtator. Ambasadori e ka thënë qartazi këtë”.

Sipas Sveçlës, nuk ka pasur vullnet politik që reciprociteti të zbatohet, e që pozicioni i Kosovës të ngrihet në nivel të barabartë, nuk ka pasur vullnet nga drejtuesit e mëparshëm të shtetit të Kosovës.

“Për mua dhe Qeverinë e Kosovës është shumë më mirë të mos kemi fare kësi letrash, të njihen dokumentet e vendeve respektive”.

Ai tha se beson se për vetë faktin se ka mbështetje edhe nga vendet e Quintit dhe BE-ja, pa rezervë, dëshmon se për nga dokumentacioni nuk ka asgjë të diskutueshme në marrjen e këtyre hapave.

“Ne kemi tentuar në vazhdimësi që në këto takime t’i adresojmë këto gjëra, për zgjidhje të përhershme”.

Sa i përket takimit të radhës në Bruksel, ministri Sveçla tha se kryeministri Kurti  e ka bërë publike që do të jetë pjesë e tij.

“Kjo nuk do të thotë se do të diskutohet mbi të drejtën tonë për zbatim të marrëveshjeve. Unë besoj se pala tjetër të kuptojë nevojën për t’i larguar këto pengesa me njohje të dokumenteve”.

Sveçla: Në Prishtinë ka media që publikojnë lajme të rrejshme

(Plotësuar) Në intervistë për magazinën informative “Lajmet e Fundit” ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla foli edhe për lajmet e rrejshme.

Ai luti mediat që të bazohen në informatat zyrtare të institucioneve të Kosovës. “Jemi duke u ballafaquar me lajme të rrejshme në mënyrë që të krijohet konfuzion”, tha ministri Sveçla.

Sipas tij, ka disa media në Kosovë që janë në vazhdimësi të qasjes me lajmev të rrejshme e madje ato janë në Prishtinë.

Pa përmendur me emra, ministri Sveçla deklaroi se nëse shihen se nga buron  lajmi ose ku merr jehonë, kuptohet se ka media  që me apo pa vetëdije, bëhen pjesë e propagandës.

“Ka media që kanë shpërndarë lajme të rrejshme gjatë të dielës. Paramendoni situatën në 8 mijë familje tona që kanë pjesëtarë të familje në si pjesëtarët të policisë,  kur del lajmi se një pjesëtar i policisë është  vrarë”, tha ministri Sveçla. “Nuk është ky gabim. Nuk bëhet luftë për klikime”

Sa i përket planeve të policisë kur u mbyllën magjistralet Mitrovicë-Bërnjak e Mitrovicë –Jarinjë, ministri tha se policia ka skenarë të ndryshëm të reagimit.

“Ne kemi vendosur që ligji të zbatohet në çdo cep të Kosovës. Kjo ndodhë duke zbatuar mjaftueshëm resurse dhe kohën e duhur, e janë ekspertët e policisë së Kosovës që e gjejnë momentin duhur për të vepruar në këto situata”, tha ministri i Punëve të Brendshme.

Ai tha se nëse ka  dhjetëra të armatosur paramilitarë e ka mijëra policisë që zbatojnë ligjin në mënyrë të organizuar dhe strukturuar, atëherë është e kuptueshme që po të donte të vepronte, policia, ajo do t’i neutralizonte.

“Por, nuk bëhet fjalë për ballafaqim me qytetarë tanë atje. Kemi  të bëjmë me policinë me mjetet legjitime lufton krimin e organizuar, kontrabandën dhe ndikimin e Serbisë atje. Kemi sulmin ndaj policisë  së Kosovës edhe kur ndiqnin maunat me mallra të kontrabanduara apo edhe makineritë për kripto valuta”.

Sipas tij, këto aksione po bëhen tani e që nuk janë bërë më herët. “Po bëhen tani sepse ka vullnet politik dhe gatishmëri të policisë për t’i luftuar”.

Ai e pranoi se ka raste kur ka rrjedhje të informacioneve nga policia dhe se kjo është fatkeqësi sepse rrezikohet jeta e policive. Sidoqoftë u shpreh se me këtë merret Inspektorati i Policisë dhe mekanizimi i Standardeve dhe nëse gjenden personat, ata jo vetë që do të përjashtohen nga policia por edhe do të ndiqen penalisht.

Sveçla: Dikur Radojçiq i kishte dyert hapur në Prishtinë, tani është ikanak

(Plotësuar) Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke folur në intervistë në magazinën informative “Lajmi i Fundit” në RTK, deklaroi se bazuar në deklarimet e Beogradit zyrtar dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandër  Vuçiq, një situatë e tillë e tensionuar sikurse që ndodhi ditë më parë me rastin e  fillimit të zbatimit të reciprocitetit nga Kosova kundrejt dokumenteve të serbe për hyrje/dalje, ishte e pritshme.

“Ende pa hyrë në fuqi vendimi, serbët  bllokuan rrugët me pretendimet se me vendimin për dokumentin me hyrje /dalje, ne do të konfiskojmë letërnjoftimet e tyre gjë që u dëshmua se ishin të pavërteta”, tha ministri Sveçla.

Ai u shpreh se barrikadat  ishin vendosur nga njerëz me maska, të armatosur me armë të gjata,  mirë të organizuar, të mbështetur me një propagandë e luftë informative me lajme të rrejshme nga mediumet e Serbisë, si edhe me një sulm kibernetik.

“ Kishte tentim sulmi kibernetik të portalit shtetëror, që u zmbraps suksesshëm nga ekspertët tanë. Kjo ishte një luftë hibride”, tha ministri Sveçla në këtë intervistë.

Sipas tij, dëshmitarët kanë treguar se ata kishin uniforma të zeza, pa shenja e pa logo.

“Këta persona nuk janë nga Kosova, por  një pjesë e tyre kanë ardhur nga Serbia e që urdhrat i marrin nga Beogradi.  Ky ishte një plan afatgjatë, por ishte  zbatuar atë ditë. Një pjesë e tyre janë pjesë e xhandarmërisë dhe kanë ardhur më herët në Kosovë”, shpjegoi ministri, lidhur me personat që vendosën të dielën në mbrëmje, barrikada në magjistralet Mitrovicë-Jarinjë e Mitrovicë-Bërnjak.

Sidoqoftë, ai tha se me rëndësi është që rendi e ligji të mbizotërojë atje.

“E keni parë edhe sot që jemi të angazhuar ta luftojmë kontrabandën. Tashmë kemi angazhim të shtuar të të gjitha strukturave të sigurisë së Kosovës, që rendi të mbizotërojë rendi e ligji”, tha Sveçla.

Sipas tij, është e paimagjinueshme që dikush në mënyrë të paligjshme të bartë armë të gjata e të shkurtra e të mos ballafaqohet me ligjin.

“Është çështje e kohës derisa të identifikohet secili. Nuk besoj se identifikimi i tyre është i vështirë sepse nuk bëhet fjalë për komunitet të gjerë”, shpjegoi ministri i Punëve të Brendshme në magazinën informative “Lajmet e Fundit” në RTK.

Sveçla tha se duhet  thënë se këto struktura nuk kanë mbështetje nga masat e gjëra të qytetarëve atje.

“ E kemi parë edhe nga barrikadat e shtatorit se sa me vështirësi këto struktura kanë nxjerrë qytetarët në barrikada. Ata nuk po gjejnë përkrahje nga qytetarët, të cilët janë lodhë nga mungesa e ligjit sepse qytetarët duan një jetë të qetë e të prosperojnë si qytetarë të barabartë”.

Sipas ministrit Sveçla, situata e nuk ishte aq serioze sa Vuçiq përpiqej ta paraqiste.

“Bëhet fjalë për elemente të Serbisë që veprojnë në Kosovë,  por assesi nuk bëhet fjalë për intervenim të Serbisë në Kosovë. Nuk bëhet fjalë për mobilizim gjithë popullor, por vërehej një agresivitet dhe dëshpërim tek ta sepse jemi dëshmitarë se rendi e ligji po vendosen  cdo ditë e më shumë”.

Ministri Sveçla rikujtoi e nuk ka pasur raste më parë që zbulohen laboratorë droge e që të ndalet kontrabanda në veri.

“Të gjitha rrugët  alternative janë mbyllur dhe ruhen nga policia e Kosovës, e kjo është situatë e re, prandaj kemi egërsim të këtyre grupeve, ngase  ka një përzierje mes krimit dhe qëllimeve politike”, tha ai.

Ministri sqaroi se Serbia ka shfrytëzuar rrugët kriminale të shtypë e popullin atje, e duke sfiduar Qeverinë e Kosovës, duke iu dhënë hapësirë këtyre grupeve kriminale sikurse Milan Radojçiqi apo Veselinoviqit etj.

“Radojçiqi nuk është në veri, ai është futur në Kosovë dhe mos të harrojmë se kemi vijë shumë të gjatë të kufirit që ndan Kosovën me Serbinë. Ai ka bërë një video incizim,  ka dalë në Serbi dhe pastaj është publikuar pasi është  larguar”, sqaroi Sveçla në këtë intervistë.

Sipas tij, Radojçiqi nga një  kriminel që ka pasur dyert e hapura në Prishtinë e në veri,  tani është një ikanak që kërkohet nga institucionet ligj zbatuese të Republikës së Kosovës.

“Sigurisht që frikësohet, pasi ai në Kosovë ka qëndruar vetëm disa orë. Mos prezenca e tij fizike normalisht që e dobëson si figurë politike dhe kriminale, kurse qëllimi i asaj videoje nuk ka qenë të sfidojë institucionet e Kosovës, sepse nuk mund të ndodhë kjo duke bërë video në kodër, por për të kërcënuar qytetarët serbë të Kosovës”.

Sveçla: Lista Serbe e devalvuar, s’ka rëndësi rri apo s’rri në Qeveri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se Lista Serbe është tërësisht e  devalvuar politikisht.

Në magazinën informative “Lajmet e Fundit” në RTK, Sveçla u shpreh se nuk shikon asnjë variant matematikor që dalja e Listës Serbe nga Kuvendi i Kosovës, të rrezikojë Qeverinë.

“Ata nuk janë as pjesë e koalicionit qeveritar dhe për herë të parë të ekzistencës së tyre, ata janë të devalvuar politikisht”, tha Sveçla në këtë intervistë.

Madje ai u shpreh se nuk ka as vullnet të  Qeverisë për bashkëpunim, të cilin ai e quajti- "kriminal me ta".

“Nëse Lista Serbe janë pjesë aktive e këtyre organizimeve kriminale më veri,  domosdoshmërish se janë pjesë e grupeve kriminale”, u shpreh Sveçla.

Ai shtoi se Lista Serbe është një lloj ombrelle politike.

“Politikisht  Lista Serbe, janë të devalvuar”, u shpreh ministri Sveçla, sipas të cilit, ky  është sukses i jashtëzakonshëm i shoqërisë dhe votuesve që e kanë defaktorizuar atë deri në atë shkallë sa qëndruan ose apo dolën nga Qeveria, nuk ka fare rëndësi.

Ai tha se Kosova përfundimisht nuk është e shantazhuar nga Lista Serbe.

“Sipas marrëveshjeve të mëhershme që kemi trashëguar e  që ishin të dëmshme, atyre u takon një vend në Qeveri, por  nuk janë pjesë e koalicionit dhe nuk mund ta rrezikojnë qeverisjen Kurti”, tha ministri i Punëve të Brendshme.

“Nuk besoj se ka subjekte politike të cilat i bashkohen Listës Serbe për shkak të barrikadave dhe reciprocitetit”.

(Pas pak publikohen deklarime të tjera të ministrit Sveçla të shkëputura nga kjo intervistë) 


MË SHUME NGA Lajme