Brukseli për RTKlive, s`e konfirmon 18 gushtin, datë të takimit Kurti-Vuçiq
Foto: RTKLive
Lajme

Brukseli për RTKlive, s`e konfirmon 18 gushtin, datë të takimit Kurti-Vuçiq

Jeton Musliu / RTKlive

Ende nuk ka datë zyrtare se kur do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Së paku një konfirmim zyrtar për datën, ende zyrtarisht nuk  është dhënë nga Brukseli.

RTKLive ka pyetur Peter Stanon ,  zëdhënës i  Përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri.

“ Nuk mund të konfirmoj asgjë”, ka thënë Stano, i pyetur nëse mund të konfirmojë se takimi Kurti-Vuçiq do të mbahet me 18 gusht, ashtu siç ka deklaruar një ditë më parë presidenti i Serbisë.

“Siç ka qenë edhe në të kaluarën, ne gjithmonë njoftojmë një takim në Bruksel nëse (nëse mbahet v.j) dhe kur është e përshtatshme”, tha Stano.

Ndërkohë,edhe në Prishtinë, zyrtarët nga Qeveria e Kosovës nuk japin ndonjë datë të saktë dhe as nuk konfirmojnë nëse 18 gushti është dita kur do të ketë një takim mes drejtuesve të lartë të të dy shteteve.

“Siç e dini, takimi i paraparë të mbahej me 19 korrik dështoi sepse Beogradi zyrtar refuzoi që ai të zhvillohet duke kërkuar që një takim i tillë të shtyhet për më shumë se një muaj”, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

Në përgjigje për RTK-në, Kryeziu deklaron se kryeministri Kurti në vazhdimësi është shprehur i gatshëm për takimin e radhës të përgatitur mirë dhe për çështje bilaterale.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian dhe nëse do të ketë një takim të radhës, ai pritet të zhvillohet në javën e tretë të këtij muaji”, sqaroi Përparim Kryeziu.

Në anën tjetër, në një deklarim për media të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të martën në mbrëmje, ai tha se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Brukselit që më 18 gusht të mbahet rundi i ri i dialogut me Kosovën.

“Gjithçka është konsumuar dhe ju më nuk e dini se çfarë mund të bëni. Unë do të shkoj, por nuk pres asgjë. Kushdo që mendon se me Kurtin ka gjasa të ruhet paqja, e ka shumë gabim”, tha Vuçiq në Beograd.

Sidoqoftë, mbajtjen një takimi të tillë në fundit muajt gusht, por pa dhënë ndonjë datë, e  ka paralajmëruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një intervistë të tij në “Zërin e Amerikës” të datës 28 korrik (Intervistën e plotë të kryeministrit Kurti dhënë ‘Zërit të Amerikës’ mund ta lexoni në këtë link: https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=613076 )

Gjatë vizitës atje së bashku me presidenten Vjosa Osmani ku edhe nënshkruan marrëveshjen e MCC-së, kryeministri Kurti rikujtoi se është Beogradi ai që u shmanget takimeve.

"Është Beogradi ai që po punon kundër marrëveshjeve dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, ndërkohë që ne jemi konstruktiv dhe këtë tashmë Brukseli e ka regjistruar", tha Kurti.

"Pra në vend se të ndodhë takimi me 19 korrik, tash shpresohet që mbase do të mbahet në fund të gushtit", deklaroi ai.

Takim në kuadër të dialogut, Kurti e Vuçiqi s’kanë pasur që nga viti i kaluar.


APR
Romay Lift