​Përfundon seanca, Kuvendi shkon në pushim
RTKlive
Lajme

​Përfundon seanca, Kuvendi shkon në pushim

KP

(E plotësuar 20:30) Ka përfunduar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës. Në mungesë kuorumi për vendimmarrje, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca mbylli punimet e seancës së sotme dhe bëri të ditur se deputetët do të shkojnë në pushim deri në fillim të muajit shtator.

Në seancën e së enjtes, të zgjedhurit e popullit kanë miratuar një sërë projektligjesh, derisa disa prej tyre mbetën për sesionin vjeshtor, mes tjerash edhe shqyrtimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027.

Kuvendi miraton disa Projektligje

V.Thaçi/RTKLive

(E plotësuar 19:20) Gjatë vazhdimit të seancës së Kuvendit të Kosovës janë miratuar disa Projektligje.

Kuvendi i Kosovës, me 64 vota për ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për financimin e subjekteve politike.

Pro këtij projektligji përveç pozitës ishin edhe deputetët e AAK-së, ndërsa ata nga Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike u përmbajtën nga votimi.

Në vazhdimin e seancës së sotme, Kuvendi miratoi në lexim të dytë edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura,

Poashtu u votua edhe Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor, dhe ai për Inspektoratin sanitar të Kosovës dhe Projektligjin për të Drejtën Ndërkombëtare Private.

Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor u votua me 62 vota, kurse atë për Inspektoratin sanitar e votuan 61 deputetë.

E Projektligji për të Drejtën Ndërkombëtare Private u votua me 70 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Miratohet rezoluta për Projektligjin për zyrtarët publikë

(E plotësuar 18:05) Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rezolutën, ku Qeverisë së Kosovës i kërkohet që të sjell në Kuvend, Projektligjin për zyrtarët publikë deri më 15 tetor.

Pas interpelancës me ministrin e Punëve të Brendshme dhe Adminsitratës Publike, Xhelal Sveçla, deputetët me 72 vota pro miratuan rezolutën e propozuar nga AAK-ja.

Kuvendi po vazhdon punimet e seancës me pikat e tjera të rendit të ditës.

Opozita: Sveçla nuk e ka prioritet reformën në administratën publike

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike Kosovës (LDK), kanë kritikuar ministrin Sveçla për mungesën e reformave në administratën publike.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku tha se një ministër i cili nuk e ka prioritet reformën e administratës publike, shihet qartë se është një dështim total i kësaj qeverie.

 “Po e shohim një ministër që nuk e ka prioritet administratën publike, reformën e saj. Po shihet qartë se është një dështim total i kësaj qeverie hipokrite, por jo në aspektin vetëm të detyrave si ministër, por edhe vet funksionimi i dy ministrive po vihet në diskutim”, tha ai.

Kurse deputeti i LDK-së, Agim Veliu, tha se ministri Sveçla ka lënë në amulli të plotë në shumë institucione.

“Jeni kujdesur që në ditët e para që menjëherë të anuloni krejt punën e grupit punues që kishte bërë për ndryshimet e Ligjit për zyrtarët publik, kryesisht ishin të bazuara në zbatimin e aktgjykimit dhe e shpërbëtë atë grup punues duke zbatuar një ekip tjetër për të nisur punën nga zero”, tha Veliu.

Sipas Veliut, jo vetëm që nuk janë bërë ndryshimet, por ende nuk është proceduar projekt rregullorja për rekrutim dhe pranim në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, të cilën e patën hartuar ekipin punues sa isha unë ministër.

Kica-Xhelili: Ligji për Zyrtarë Publik çështje shumë komplekse

(E plotësuar 17:30) Kurse në emër  Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje foli Doarsa Kica – Xhelili e cila tha se sot numri i të punësuarve në administratën publike shkon deri në 80.000 punëtorë, nuk është vetëm sektorë i ndjeshëm por edhe i dendur që vet rregullim e sektorit publik, më pas edhe Ligjin për Zyrtarë Publik e bën çështje shumë komplekse.

Ajo tha se edhe ne edhe Qeveria jemi dakord që ky Ligj të sillet me prioritet, dhe fakti që ministria e brendshme e ka përmbyll draftin final e konfirmon këtë pozicionim.

“Por shtrirja e këtij Ligji, mundësit për gabime mundësit për mospërfshirjen e të të gjitha çështjeve që duhet të përfshihen, apo përfshirjen e atyre që nuk duhet marrin kohë dhe përkushtim serioz, sidomos që te evitohet një vlerësim i mëtejmë nga Gjykata Kushtetuese që ne përvojën tonë na kthej ne pikën zero.  Ligjet që barten nga sistemet tjera që është shpesh ajo që po ndodh në sistemin ton të drejtësisë pa një vlerësim adekuat të funksionalizimit të tyre brenda sistemit tonë, po e rrezikojnë në vazhdimësi ketë konsistencë, prandaj  plotësim ndryshimi i Ligjit për zyrtaret publik duhet të behet ne dy dimensione”, tha Kica-Xhelili.

LIVE: Nis interpelanca ndaj ministrit Sveçla

A.Bela / B. Halimi

(E plotësuar 16:45) Kuvendi i Kosovës ka nisur interpelancën e thirrur nga deputetët e AAK-së për ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, në lidhje me ligjin e zyrtarëve publik.

Në fjalimin e tij, ministri Sveçla ka thënë se Qeveria e Kosovës si pjesë të programit qeverisës e ka modernizimin e administratës publike, të cilën synon ta shndërrojë në administratë që do të ofrojë shërbime cilësore, të cilave qytetarët dhe bizneset mund t’iu qasen me lehtësi si dhe një administratë që funksionon mbi meritokracinë, profesionalizmin dhe efikasitetin.

“Kompletimi i kornizës ligjore aktuale është parakusht për arritjen e këtij objektivi dhe në këtë kuptim Ligji për zyrtarët publik është ndër ligjet që i nënshtrohet rishikimit. Ministria e Punëve të Brendshme përmes ndryshime që do ofrojë përmes Ligjit për zyrtarët publikë synon që të adresojë  jo vetëm problemet që janë gjetur nga Gjykata Kushtetuese por edhe problemet e evidentuara në praktikë gjatë kohës së zbatimit të këtij ligji dhe atyre që janë identifikuar si rezulat i analizave nga ministria që unë drejtoj”, ka theksuar ndër të tjera Sveçla.

Ai ka thënë se ligji aktual ka mangësi të shumta dhe për këtë arsye MPB është në fazën përfundimtare të finalizimit të plotësimit të ligjit, të cilin shumë shpejt do ta procedojë në procedurat e konsultimeve.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria që të sjell në Kuvend, Projektligjin për zyrtarët publikë, më së largu në mes të muajit shtator.

Interpelanca me ministrin Sveçla po vazhdon, e ku deputetët po paraqesin qëndrimet e tyre.

Kuvendi miraton Ligjin për Arkivat Shtetërore

(E plotësuar, 14:15) Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar Ligjin për Arkivat Shtetërore të Kosovës, me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abestenim.

Pas votimit të këtij ligji kryeparlamentari Glauk Konjufca ka dhënë pauzë, teksa deputetët pritet t’i kthehen seancës në orën 15:30, ku do të jetë interpelanca e ministrit të brendshëm, Xhelal Sveçla.

Kuvendi voton pro masave emergjente në furnizimin e energjisë

(E plotësuar, ora 13:05) Kuvendi i Kosovës me 61 vota të deputetëve, asnjë votë kundër dhe asnjë asbstenim, ka votuar Propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë.

Ky votim erdhi pas deklarimit të ministres Artane Rizvanolli në emër të qeverisë dhe të deputetëve në emër të partive. Pozita përkrahu këtë vendim, ndërsa opozita kritikoi propozim vendimin duke e vlerësuar atë se nuk e zgjidh problemin me furnizim me energji në Kosovë

Kuvendi shqyrton Propozim-vendimin e qeverisë për masat në energji

(E plotësuar, ora 12:25) Kuvendi i Kosovës ka filluar shqyrtimin e Propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë.

Rizvanolli: Me masa synojmë të kemi furnizim stabil me energji në Kosovë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanoli, tha se propozim-vendimi i Qeverisë së Kosovës, synon të ruajë stabilitetin për furnizim të energjisë në Kosovë për shkak të krizës energjetike që mund të vijë në vend si pasojë e problemeve në tregun evropian të energjetik, raporton RTKlive.

Ajo ka folur për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, që do të vlejnë për deri 60 ditë, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

“Duke u bazuar në situatën energjetike, tregun evropian dhe çmimet që do të ndikojnë edh enë Kosovë. Disa shtete kanë paralajmëruar se do të ndalojnë eksportet energjisë. Me qëllim që të nxisim kursim të energjisë dhe aktiviteteve që shpenzojnë energji, siç janë kriptovalutat. Ne propozojmë shpalljen masave emergjente për 60 ditë. Kuvendi i Kosovës mund ta vazhdojnë më shumicë të votave deri në 180 ditë shtesë dhe parashohim, nëse trendi të jetë i njëjtë. Masat duhet të fillojnë sa më shpejt”, tha ajo.

Propozim-vendimi i Qeverisë së Kosovës për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, ka marrë mbështetje nga VV

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ferat Shala nga PDK ka kritikuar Propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë. Sipas tij qeveria po i bënë edhe sabotim të Komisionit Hetimor për energjinë.

Edhe Valentina Bunjaku nga LDK, kritikoi vendimin duke thënë se ky propozim nuk zgjidh problemin. “Nëse qeveria nuk e siguron energjinë, atëherë do të kemi problem”, tha ajo.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga AAK, Pal Lekaj, vlerësoi se kjo qeveri nuk po bënë asgjë për të menaxhuar mirë situatën energjetike. “Qeveria është e pa aftë për të zgjidhur problemin me furnizim të energjisë”, tha ai. Lekaj bëri me dije se AAK përkrah këtë propozim të qeverisë.

Kurti për zhvillimet në veri: Vendimet e qeverisë u mbështetën nga SHBA

(E plotësuar, ora 11:10) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot në Kuvendin e Kosovës ka folur për dy vendimet që i ka marrë qeveria e Kosovës, për tabelat në veri të Kosovës dhe për dokumentet që po u lëshohen qytetarëve të Republikës së Serbisë me rastin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.

Kurti tha se pas shumë viteve qytetarët e komunitetit serb në Kosovës, do të kenë mundësi të ndërrojnë tabelat që i kanë ilegale që nga koha e Millosheviqit, me atë të Republikës së Kosovës.

“Qeveria ka marrë dy vendime me të cilët do të ndërrojnë ato tabela ilegale, në ato të Republikën e Kosovës. Kemi dhënë muajt gusht dhe shtator si afat për këtë një që me 1 tetor nuk kemi më targa ilegale”, tha ai, raporton RTKlive.

Sipas tij po ashtu edhe vendimi i tjetër ka të bëjë për qytetarët e Serbisë që hyjnë në Kosovë. Sipas tij ky vendim ka të bëjë me reciprocitetin dhe se qytetarët e Kosovës ka kohë që kur hynë në Serbi marrin dokumentet të tilla, bile sipas tij vite më parë kanë paguar nga pesë euro. “Ne me 1 gusht kemi lëshuar mbi 2600 dokumenta të tilla:, tha ai.

“Për shkak të dezinformatave që Serbia ka bërë, ne kemi e shtyrë implementimin vendimeve deri më 1 shtator të këtij viti, në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar”, tha ai..

Ai ka folur edhe për barrikadat të vendosur në veri të Kosovës, që janë vendosur për disa minuta që sipas tij janë të koordinuara direkt nga regjimi i Beogradit.

Haradinaj, Kurtit: Mos merr merita për listën e zezë që e ka bërë Amerika

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka replikuar kryeministri Kurti rreth përfoljes së emrit të tij që ka pritur në zyrën e tij Milan Radojicic “Mos merr merita për listën e zezë që e ka bërë Amerikan, tregona çka po bëhet me ministrin tanë Rakiq”, tha ai.

Tahiri: Kurti po e anashkalon reciprocitetin e plotë me Serbinë

(E plotësuar, 10:55) Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kryeministri Kurti po e shfrytëzon reciprocitetin me Serbinë për qëllime instrumentale.

“Kryeministrin e kemi kundërshtuar kur ka legjitimuar targat ilegale të lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës, sepse ka qenë hap regresiv, por e kemi mbështet kur u përpoq me vendos reciprocitet për targa. Ngjashëm e kemi mbështet edhe më 1 gusht, kur nisi zbatimin për reciprocitetin për dokumentet e udhëtimit, megjithëse kjo masë u shty për implementim për një periudhë 30 ditore”, ka thënë Tahiri.

Por, sipas tij ka diëka që e bën situatën të paqartë në raport me mentalitetin rreth reciprocitetit që kjo qeveri po përpiqet ta vë në jetë.

“Kryeministri po bën përpjekje me bë reciprocitet në çështje specifike, duke e anashkaluar reciprocitetin e plotë, derisa e mban mend mirë se si politikisht është formuar duke na folur për reciprocitet të plotë me Serbinë”, ka theksuar ai.

Tahiri ka thënë se nëse do t’i përmbaheshim reciprocitetit të plotë, ai do të duhej të niste me ekonominë.

“Përderisa s’ka gatishmëri për të vendosur reciprocitet të plotë, kjo përzgjedhje selektive e masave të reciprocitetit duke qenë i vetëdijshëm se Serbia dhe politikat e saja ndaj konsolidimit tonë të brendshëm janë shumë destruktive siç ishte rasti i fundit, po na jep përshtypje se para se këto masa të jenë qëllim në vetvete janë qëllime instrumentale”, ka shtuar Tahiri.

Ai ka thënë se me këto masa kryeministri nuk don ta zgjedhë raportin biletaral me Serbinë, por nga kjo sipas tij mund të dalin shumë tema tjera përfshirë Asociacionin.

Kusari:Reciprociteti me Serbinë ishte i koordinuar me faktorin ndërkombëtar

(E plotësuar, 10:40) Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka thënë se vendimi i Qeverisë për reciprocitet me Serbinë për letërnjoftimet dhe për pajisjen e qytetarëve serbë të veriut me targat “RKS” ka qenë plotësisht i koordinuar me faktorin ndërkombëtar.

“Këto vendime përveç se ishin të drejta dhe të planifikuara ato ishin mirë të koordinuara dhe komunikuara me të gjithë akterët relevantë, përfshirë ambasadat e QUINT-it dhe KFOR-in”, ka thënë Kusari Lila në seancën e sotme të Kuvendit.

Ajo ka thënë se kryeministri dhe Qeveria kanë qenë të angazhuara në fushatë vetëdijesuese për të gjithë qytetarët e Republikës, e veçmas për ata të veriut për t’i informuar për proceset e zakonshme që ndodhin në secilin vend me rend dhe ligj.

“Megjithatë, siç ishim dëshmitar të gjithë, angazhimi i grupeve dhe strukturat paralele të kthyera në banda kriminale me mbështetje direkte nga Beogradi zyrtar, një ditë para fillimit të zbatimit të reprocitetit ishte të krijonte destabilitet, frikë dhe panik”, ka shtuar Kusari Lila.

Ajo tutje ka kritikuar partitë opozitare për deklaratat e tyre për kinse moskoordinim me faktorin ndërkombëtar, e që sipas saj më së miri këto deklarata i demantoi ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

Kuvendi miraton rezolutën për rritjen e çmimeve dhe raportin e KOST-it

(E plotësuar, 10:25) Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën për adresimin e rritjes së çmimeve, e cila është propozuar nga grupi parlamentar i VV-së. Kjo rezolutë nuk arriti të kalojë dje për mungesë kourumi.

Po ashtu, Kuvendi ka miratuar me 71 vota për edhe raportin vjetor të Agjencisë për informim dhe privatësi për vitin 2021, si dhe me 61 vota për e 1 votë kundër është miratuar edhe raportin vjetor të KOST-it për vitin 2021.

E votat e mjaftueshme i kanë marrë edhe dy vendimet e Qeverisë, ai për hartimin e planit hapësinor të Kosovës si dhe ai për hartimin e planit hapësinor për parkun kombëtar ‘Sharri’.

Gjithashtu, me 73 vota për Kuvendi e ka ratifikuar Maja Martinoviq si anëtare të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, me mandat pesëvjeçar.

Kuvendi ka miratuar Ligjin për themelimin e fondit kosovar për garanci kreditore, me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, si dhe e ka miratuar raportin vjetor të Agjencisë për ndihmë juridike.

Kuvendi vazhdon punimet

(E plotësuar 10:15) Kuvendi i Kosovës ka vazhduar punimet e seancës plenare me pikat e rendit të ditës të mbetura nga seanca e djeshme.

Ndërsa, pas përfundimit të kësaj seance do të nisë edhe seanca e re plenare në të cilën në rend dite janë shqyrtimi i disa projektligjeve, shqyrtimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027, zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar, formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave etj.

Po ashtu do të ketë  interpelancë me ministrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për çështjen: “Ligji i zyrtarëve publikë.

Seanca e cila do të fillojë në ora 10:00, do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare, raporton RTKlive.

Pastaj do të fillojë me këto pika: Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrimin e bujqësisë, Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-041 për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit, sShqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për peshkatari dhe akuakulturë, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit i Kosovës për Farërat, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Bujqësi Organike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për mbrojtjen e bimëve, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për gjuetinë, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për materialin fidanor,  shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pasurimin e miellit, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për rregullimin e tokës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bletari, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për plehrat artificiale, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për përkujdesjen ndaj kafshëve, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për veterinarinë, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për inspeksionin bujqësor, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit i produkteve për mbrojtjen e bimëve, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për ujitjen e tokave bujqësore, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kooperativat e bujqve, shqyrtimi i dytë i Projektligjit, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tokën bujqësore.

Po ashtu do të ketë  interpelancë me ministrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për çështjen: “Ligji i zyrtarëve publikë”, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për  për Inspektoratin Shëndetësor, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Sanitar të Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për të Drejtën Ndërkombëtare Private, Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Aktet Juridike, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë, shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës.


APR
Romay Lift

MË SHUME NGA Lajme