Dinosha: Marrëveshja e Abazoviqit me Kishën Serbe, hap i ngutshëm
Foto/ RTKlive
Lajme

Dinosha: Marrëveshja e Abazoviqit me Kishën Serbe, hap i ngutshëm

Afet BELA/ RTKlive

Nënshkrimi i marrëveshjes nga kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me Kishën Ortodokes Serbe, ka ngjallur reagime të shumta në Mal të Zi dhe jashtë tij.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka vlerësuar që kjo marrëveshje do ta çojë Malin e Zi përpara ndërsa partia soicaliste DPS e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka kërkuar mocion për shkarkimin e Dritan Abazoviqit duke cilësuar se marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi.

Fatmir Gjeka, ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve në Mal të Zi, ka deklaruar se kjo organizatë fetare në një periudhë më të përparshme ka qenë nën ndikimin e elementeve që dikur në ish-Jugosllavi kanë qenë të inkriminuar në krime lufte, por në vitin 2022, kur jemi edhe si shtet para  bashkimit të integrimit evropian, janë disa procese të tjera të cilat janë më se të nevojshme, deklaroi  ai në emisionin “Lajmet e fundit” në RTK.

“Për mendimin tim është diçka e pritur. Siç e keni përcjellë edhe ju, kjo kontratë ka kaluar në qeveri para një muaji dhe opinioni i gjerë e ka pasur publikisht si do të rrjedhë ngjarja. Është kontrata e parë e cila para se të vijë në qeveri ta marrë aprovimin, ka dalë në publikun e gjerë. Ju e dini se kur ta përmendim Kishën Ortodokse Serbe, pa marrë parasysh si është kontrata, ndonjëherë njerëzit kanë reagimi të tilla me të drejtë, duke e ditur se kjo organizatë fetare në një periudhë më të përparshme ka qenë nën ndikimin e elementeve dikur në ish- Jugosllavi, që kanë qenë të inkriminuar në krime lufte, por në vitin 2022, kur jemi edhe si shtet para bashkimit të integrimit evropian, janë disa procese të tjera dhe të cilat janë më se të nevojshme”, tha ai.

Kurse ish-ambasadori i Malit te Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, tha se kjo marrëveshje është hap i ngutshëm.

“E kam parë. Më duket si shumica e opinionit në Mal të Zi. E kam parë si hap të ngutshëm, më mirë thënë hap të pabesë, për arsye se askush sot nuk ka ditur se do të ngjajë kjo dhe askush sot nuk ka paralajmëruar se për të nënshkruar marrëveshjen në fjalë do të vijë nga Beogradi kreu i Kishës Ortodokse Serbe”, shtoi Dinosha.

Ndiqeni videon më poshtë:


APR