Kosova strehon edhe 146 afganë
Blerim Halimi / RTKlive
Edhe 146 afganë kanë arritur në Kosovë. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një njoftimi në Facebook.
“Sot mirëpritëm në Republikën e Kosovës 146 qytetarë afganë dhe procedurat e pritjes së tyre tashmë kanë përfunduar dhe janë akomoduar sipas marrëveshjeve paraprake”, ka shkruar Sveçla.
Sipas tij ky proces po zhvillohet jashtëzakonisht mirë falë bashkëpunimit të ngushtë me aleatët, SHBA-në dhe NATO-n.
“Në koordinim me të gjithë akterët e brendshëm institucional dhe shtetet aleate të Republikës sonë, jemi të angazhuar maksimalisht që të gjithë qytetarëve që po ballafaqohen padrejtësisht me konflikte e luftë, të ju mundësojmë strehim, mirëqenie e siguri për aq kohë sa janë në shtetin tonë”, ka shkruar tutje ministri Sveçla.
Pasi talibanët morën pushtetin në Afganistan në gusht të vitit të kaluar, SHBA-ja nisi përpjekjet për largimin e afganëve të cilët kishin punuar për Uashingtonin dhe shtetet aleate, pasi ata dhe familjet e tyre ishin të rrezikuar nga rikthimi i talibanëve në pushtet.
Kosova ishte zotuar të pranojë deri 2,000 shtetas afganë, derisa atyre t’iu përfundojnë procedurat ligjore për riatdhesim në SHBA dhe vende të tjera.